Procesi i Berlinit mbush 10 vite. Scholz pret liderët e Ballkanit, ja marrëveshjen që firmosen

Nga Xhevahir Qardaku
14 Tetor 2024, 11:10 | Ballkani

Procesi i Berlinit mbush 10 vite. Scholz pret liderët e Ballkanit, ja

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, priti liderët e Ballkanit Perëndimor në Samitin e Berlinit, në 10 vjetorin e këtij procesi. Ai njoftoi firmosjen e dy marrëveshjeve të rëndësishme si plani i ri i tregut të përbashkët rajonal dhe lehtësimin e studimeve në vendet e rajonit. Të pranishëm në event edhe liderë të Bashkimit Europian, përfshirë presidenten Ursula von der Leyen.

“Bashkimi Europian është i kompletuar vetëm me Ballkanin Perëndimor si pjesë të tij. Sot, ju, udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor, po ndërmerrni hapa të mëtejshëm të mëdhenj drejt qëllimit tonë të përbashkët. Dëshiroj t'ju përgëzoj për zhbllokimin e CEFTA-s, marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Europës Qendrore. Kjo marrëveshje nuk është asgjë më pak se një përparim për bashkëpunimin rajonal dhe zhbllokimi i CEFTA-s gjithashtu lejon që disa marrëveshje të tjera të aktivizohen tani, për shembull, për lejet e punës ndërkufitare dhe rrugët e tregtisë elektronike në mbarë rajonin. Kjo do të ndihmojë në thellimin edhe më tej të tregut të përbashkët rajonal”, tha Scholz, shkruan A2 CNN.

“Dëshiroj të përgëzoj Kosovën për kontributin në këtë sukses duke vendosur që javën e kaluar të hapë një pikë kufitare për mallrat serbe. Dhe zhbllokimi i CEFTA-s nuk është i vetmi vendim që po marrim sot. Ju gjithashtu do të nënshkruani dy dokumente që do ta bëjnë jetën e përditshme të njerëzve më të lehtë. Së pari, një plan i ri veprimi për tregun e përbashkët rajonal, një dokument themelor për thellimin e mëtejshëm të integrimit ekonomik duke prekur edhe aspektet sociale dhe të punës të bashkëpunimit dhe lëvizshmërisë. Kjo do ta bëjë më pak të komplikuar punën përtej kufijve dhe do t'ju sjellë dukshëm më afër standardeve të BE-së. Marrëveshja e dytë për aksesin në studim do të përmirësojë më tej lëvizshmërinë e studentëve”, shtoi ai.

Sa i përket temës së nxehtë, marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, Kancelari tha se duhet një qasje e re.

“Negociatat nuk kanë qenë gjithmonë të lehta, dhe më shumë potencial mbetet për t'u shfrytëzuar, sepse ne të gjithë e dimë se sa shumë rajoni juaj është ende i formësuar nga konfliktet e së kaluarës. Është koha për ta kapërcyer atë të kaluar dhe për t'i kthyer sytë drejt së ardhmes. Ne kemi nevojë për një dinamikë të re në procesin e normalizimit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, tha Scholz, shkruan A2 CNN. “Kështu që sot dëshiroj t'u them miqve tanë nga Beogradi dhe Prishtina si vijon. Ju lutemi, mos lejoni që e kaluara t'ju pengojë në rrugën tuaj drejt një të ardhmeje paqësore dhe të begatë. Unë mbetem i bindur se kjo e ardhme qëndron në BE dhe ka vetëm një rrugë që të çon atje, zbatimi besnik dhe i plotë i marrëveshjeve që keni arritur tashmë. Unë do të vazhdoj të angazhohem personalisht me ju të dy për të siguruar që ne të shfrytëzojmë këtë mundësi”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos