
Policia në Poloni po heton vrasjen me ekzekutim të një artisti rus dhe kritiku të zëshëm të Presidentit Vladimir Putin.
Prokurorët polakë thanë se Robert K, i njohur si artisti Semyon Skrepetsky, u qëllua për vdekje të hënën në mëngjes në qytetin polak Biała Podlaska, rreth 40 km nga kufiri bjellorus.
44-vjeçari u qëllua pesë herë në kokë, gjoks dhe shpinë në një parking makinash në qytet, i cili ndodhet rreth 600 metra larg konsullatës bjelloruse.
Semyon Skrepetsky ishte pseudonimi i përdorur nga Robert Kuzovkov. Ai ishte i njohur për karikaturat e tij të politikanëve, përfshirë Putinin, udhëheqësin bjellorus Aleksandër Lukashenko dhe udhëheqësin çeçen Ramzan Kadyrov.
Marcin Kozak, zëdhënës i Zyrës së Prokurorit të Qarkut në Lublin, tha se artistit iu afrua një person i armatosur i paidentifikuar, i cili qëlloi dy herë drejt tij.
"Kur viktima ra përtokë, autori i krimit iu afrua, qëlloi edhe tre herë të tjera dhe më pas iku shpejt nga vendi i ngjarjes. Robert K vdiq në vendngjarje", shtoi ai.
Pesë gëzhoja dhe një plumb Geco 9 mm Luger u gjetën në vendin e krimit, tha Kozak. Një autopsi është caktuar për të mërkurën.
(A2 Televizion)