Mbi 10 mijë njerëz janë vrarë në Rripin e Gazës që prej fillimit të luftës një muaj më parë. Bilanci tragjik u bë i ditur nga ministri i Shëndetësisë i drejtuar nga Hamasi, një ditë pas bombardimeve më intensive në enklavën e varfër.
Autoritetet shëndetësore raportuan se 200 persona ishin vrarë në sulmet ajrore izraelite në 24 orët e fundit, pasi Izraeli njoftoi se kishte goditur 450 shënjestra. Ushtria ka rrethuar qytetin e Gazës duke e ndarë territorin në dy pjesë, atë jugore dhe veriore. Forcat e mbrojtjes pretendojnë se kanë vrarë komandantë të Hamasit nëpër tunele dhe se kanë marrë nën kontroll një qendër të militantëve, me zona trajnimi dhe vëzhgimi.
“Gjendesha këtu gjata natës kur ndodhën bombardimet. Jemi të gjithë me fasho siç mund ta shihni, na nxorën nga rrënojat. Fëmijë, vajza e djem të rinj i vranë”, u shpreh një nga të mbijetuarit.
Ushtria izraelite publikoi pamje që shfaqin banorët e Gazës teksa evakuohen drejt jugut përmes një korridori humanitar prej 4 orësh, pavarësisht se kryeministri Netanyahu po i reziston thirrjeve për pauza në luftime. Dy ditë pas prishjes së marrëdhënieve me kryeministrin izraelit Netanyahu, Turqia kërkoi një armëpushim të menjëhershëm në Gaza. Thirrje erdhi nga ministri i Jashtëm Hakan Fidan gjatë takimit me sekretarin e Shtetit, Anthony Blinken që vizitoi të hënën Anakaranë. Blinken sakaq, tha se ishte shënuar progres sa i përket bisedimeve për paqe humanitare.
“Diskutuam për të zgjeruar mbështetjen humanitare për njerëzit në rajon. Sa i përket paqes humanitare, përparim i rëndësishëm është shënuar gjatë ditëve të fundit”, tha Blinken.
Në një deklaratë të rrallë të përbashkët, krerët e të gjitha agjencive të mëdha të OKB thanë se ishte mbushur kupa, dhe se nevojitej armëpushim I menjëhershëm. Sakaq, presidentja e KE, Ursula von der Leyen akuzon Hamasin se po përdor civilet si mburoja njerëzore. (A2 Televizion)