Sondazh: Të bëhesh i pasur në Shqipëri është:
  • E lehtë 10%
  • E vështirë 60%
  • E pamundur 30%

“Do të mbrojmë aleatët nga çdo sulm”, NATO në alarm: Deklarata e Trump minon sigurinë

Nga Rosalba Bejdo
12 Shkurt 2024, 10:18 | Bota

Stuhi reagimesh ka nxitur deklarata e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, se nuk do t'i bindej klauzolës së mbrojtjes kolektive te NATO nëse do të rizgjidhej në krye të Shtëpisë së Bardhë. Në atë që do të shënonte një braktisje dramatike të angazhimit mbi të cilin janë ngritur themelet e aleancës ushtarake, Trump pohoi gjatë një tubimi elektoral se do të inkurajonte Rusinë të sulmonte çdo anëtar të NATO-s, që nuk përmbush pjesën e vet të detyrimeve financiare.

Shefi i aleancës, Jens Stoltenberg, reagoi i alarmuar duke thënë se komente të tilla vënë në rrezik të shtuar jetët e ushtarëve europianë dhe amerikanë.

“Çdo sugjerim se aleatët nuk do të mbrojnë njëri-tjetrin minon të gjithë sigurinë tonë, përfshirë atë të SHBA-së, dhe ekspozon ushtarët amerikanë dhe europianë ndaj rreziqeve të shtuara. Cilido që të fitojë zgjedhjet amerikane, pres që SHBA-ja të mbetet një aleat i fortë dhe i përkushtuar i NATO-s”, theksoi Stoltenberg.

Stoltenberg theksoi se çdo sulm ndaj një vendi të NATO do të përballet me kundërpërgjigje të unifikuar dhe të fuqishme. Reagime të forta kundër Trump pati edhe nga zyrtarët e tjerë europianë, përfshirë ministrin e Mbrojtjes së Polonisë, i cili theksoi se asnjë fushatë zgjedhor nuk mund të shërbejë si justifikim për të luajtur me sigurinë e aleancës. 

Ministria e Jashtme gjermane, postoi ne rrjetin social X, mesazhin “një për të gjithë, të gjithë për një”, ndërsa presidenti i Këshillit Europian Charles Michel pohoi se deklarata të tilla të papërgjegjshme, i shërbejnë vetëm interesave të Putinit.

Komentet e Trump të cilat vijnë në mesin e një lufte në Europë, me gjasë do të ngrenë pikëpyetje të reja mes aleatëve mbi angazhimet amerikane. Gjatë presidencës së tij, Trump ka ngritur vazhdimisht zërin ndaj atyre që i sheh si pabarazi në shpenzime, por komentet e fundit janë treguesi më i drejtpërdrejtë se ai nuk ka ndërmend të mbrojë aleatët nga një sulm rus, nëse rizgjidhet.

A2 CNN Livestream

Dita jonë