"Duhet të lirosh zyrën", Gjeorgjia në kaos, Kremlini mohon përfshirjen

Nga A2 CNN
2 Dhjetor 2024, 22:50 | Bota

Kryeministri i Gjeorgjisë është i vendosur që ta orientojë vendin drejt Kremlinit. Ndërprerja e negociatave me Bashkimin Europian tashmë është definitive. Në një konferencë për mediat, Kryeministri i Gjeorgjisë, tha se nuk ka negociata me BE, por është i gatshëm të marrë pjesë në negociatat me Presidenten pro perëndimore të vendit. 

"Jo negociata. Kujtojmë negociatat e bllokuara nga viti 2021, pastaj u detyruam të largohemi nga kuadri kushtetues. Sigurisht që opozita sot nuk ka asnjë burim për këtë. Propozimi ynë është i hapur për diskutim publik. Siç e kemi parë, atje është interes nga njerëz të veçantë dhe këto ditë jemi gati të ulemi me ta në një format diskutimi publik, por sigurisht që nuk ka bazë për negociata”, tha Irakli Kobakhidze.

Kryeministri gjeorgjian mbajti edhe një qëndrim të ashpër ndaj Presidentes së vendit të cilës i kujtoi afrimin e datës për lirimin e zyrës. 

“Zonjës Presidente i kanë mbetur edhe katër të premte dhe nuk mësohet dot. E kuptoj gjendjen e saj emocionale, por sigurisht që më 29 dhjetor ajo do të duhet të largohet nga rezidenca e saj dhe t'ia dorëzojë këtë ndërtesë një presidenti të zgjedhur legjitimisht. Ju kujtoj se presidentja humbi zgjedhjet e 26 tetorit. Ajo luftoi që opozita radikale të fitonte zgjedhjet e 26 tetorit dhe mendoi se kjo do të garantonte qëndrimin e saj në detyrë por ajo i humbi shumë keq zgjedhjet e 26 tetorit”, shtoi Kobakhidze.

Nga ana e saj në një intervistë për Reuters, Presidentja e Gjeorgjisë kërkoi ripërsëritje të zgjedhjeve. 

“Vendet e tjera perëndimore në radhë të parë evropiane, por edhe amerikanët, që kanë pezulluar deri tani partneritetin strategjik, ajo që është shumë e rëndësishme është të marrim një mesazh të qartë, se mesazhi i qartë është përsëri mosnjohja e zgjedhjeve dhe mbështetje për zgjedhjet e reja sepse kjo është rruga politike për të dalë nga kjo krizë”, tha Salome Zourabichvili.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov mohoi se Rusia po ndërhynte në situatën në Gjeorgji, të cilën ai e krahasoi me revolucionin "Maidan" të vitit 2014 në Ukrainë që përmbysi një president pro-rus. Shtetet e Bashkuara dhe BE kanë shprehur alarmin për atë që ata e shohin si kthim prapa demokratik nga Gjeorgjia, një vend i Kaukazit Jugor me 3.7 milionë banorë që shtrihet në kryqëzimin e Evropës dhe Azisë dhe dikur ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos