Erdogan tregon forcën në 100 vjetorin e Republikës, anijet ushtarake dhe avionët “pushtojnë” Stambollin

Nga A2 CNN
29 Tetor 2023, 16:41 | Bota

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan mori pjesë këtë të dielë në manifestimet e organizuara me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së Republikës së Turqisë, të zhvilluara në Bosfor.

Shfaqja e realizuar nga ushtria në qiellin e Stambollit dhe ngushticën e Bosforit mori vëmendjen e të gjithëe, pasi u pa si një demonstrim force nga ana e Erdogan.

Në paradë morën pjesë 100 anije, të drejtuara nga gjigandja TCG Anadolu. E quajtur "100 anije në vitin e 100-të", parada pa të dilnin në Bosfor TCG Anadolu, TCG Nusret, si dhe 11 fregata, 10 nëndetëse, 4 korveta, 4 anije patrullimi, 17 varka sulmuese, 8 anije gjuetie për mina, 5 anije amfibe, 10 anije ulëse tankesh, 18 anije të klasit ndihmës dhe 4 varka sulmuese.

Po ashtu 14 avionë, përfshirë F-16 dhe F-4, nga Komanda e Forcave Ajrore shoqëruan anijet gjatë paradës.

Gjatë parakalimit të anijeve, nga Komanda e I-rë e Ushtrisë u gjuajtën në qiellin e Stambollit 101 të shtëna artilerie, ndërsa një ekip aviatorësh gdhendi numrin 100 në qiell, enkas për 100-vjetorin e Republikës.

Gjatë ceremonisë së kalimit të anijeve ushtarake në Bosfor, presidenti Erdogan dhe komandantët e tij shoqërues u ngritën në këmbë dhe përshëndetën anijet.

Me lavdi, nder, gëzim... Shekulli i Turqisë”, shkroi Erdogan në llogarinë e tij në rrjetet sociale.

A2 CNN Livestream

A2 Sport