Memorandumi i mirëkuptimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit është firmosur, duke i hapur rrugën negociatave 60-ditore për një marrëveshje përfundimtare paqeje.
Presidenti amerikan, Donald Trump, zgjodhi të hidhte nënshkrimin përkrah homologut francez, Emmanuel Macron, gjatë darkës që mbylli samitin e G7 në Versajë, pikërisht aty ku u nënshkrua edhe traktati që i dha zyrtarisht fund Luftës së Parë Botërore.
“Është një ujdi e shkëlqyer për shumë arsye, por mbi të gjitha për faktin se i privon Iranit mundësinë për të pasur armë bërthamore”, tha shefi i Shtëpisë së Bardhë, teksa e cilësoi marrëveshjen si shumë më të mirë se ajo e Obamës, e cila, sipas tij, do të çonte drejt zhvillimit të bombës atomike, shkruan A2 CNN.
“Pra, e vetmja gjë që nuk doja të shihja ishte një katastrofë ekonomike. Nëse kjo situatë do të vazhdonte, ajo mund të kishte ndodhur. Por ajo që di është se sa herë që flisnim për mundësinë e paqes, tregu i aksioneve ngrihej si raketë. Asnjëherë nuk binte. Njerëzve nuk u pëlqente kjo, por e dini, tregu i aksioneve është më i zgjuar se kushdo tjetër, përfshirë edhe njerëzit që janë në këtë skenë, përveç meje, sigurisht”.
Në anën iraniane, memorandumi u firmos nga presidenti Masoud Pezeshkian. Teherani publikoi fotografi të këtij momenti, në atë që besohet të jetë marrëveshja e parë e firmosur mes presidentëve iranianë dhe amerikanë që prej themelimit të Republikës Islamike në vitin 1979.
Irani e sheh ujdinë si një fitore të madhe për vendin. “Gjithçka që synuam të arrinim përmes veprimit ushtarak, e arritëm disa herë më shumë përmes negociatave; nuk kishte fare krahasim mes tyre”, tha Mohammad Baqer Qalibaf:
Nënshkrimi erdhi menjëherë pasi zyrtarë amerikanë publikuan detajet e të ashtuquajturit memorandum të mirëkuptimit.
Marrëveshja me 14 pika e zgjat armëpushimin me 60 ditë, deri në negociimin e një ujdie përfundimtare. Ajo parashikon fundin e menjëhershëm të luftimeve në të gjitha frontet, përfshirë Libanin, rinisjen e lundrimit të sigurt në Ngushticën e Hormuzit dhe heqjen e tarifave në këtë korridor detar, heqjen e bllokadës amerikane ndaj porteve iraniane, angazhimin e Iranit për të mos zhvilluar armë bërthamore, zhbllokimin e aseteve të ngrira të Iranit, si dhe krijimin e një fondi prej 300 miliardë dollarësh për rindërtimin e Republikës Islamike.
Shumë e kanë komentuar marrëveshjen si më të favorshme për Iranin, por presidenti amerikan kërcënoi se do të rifillojë bombardimet dhe do të godasë zyrtarët iranianë nëse ata nuk përmbushin angazhimet e marra.
Çmimet e naftës ranë në 80 dollarë për fuçi të mërkurën, pas lajmit për rihapjen e shpejtë të Ngushticës së Hormuzit. (A2 Televizion)