Heshtje “vrastare” në Arabi, SHBA dhe Rusia thyejnë akullin, takimi Rubio-Lavrov për paqen

Nga Xhevahir Qardaku
18 Shkurt 2025, 12:16 | Bota

Heshtje “vrastare” në Arabi, SHBA dhe Rusia thyejnë

Rusia dhe Shtetet e Bashkuara po shkrijnë marrëdhëniet e ngrira në temperaturat përvëluese të Arabisë Saudite. Sekretari amerikan i shtetit, Marco Rubio, po takohet me ministrin e jashtëm të Moskës, Sergej Lavrov.

Pavarësisht se do të flitet gjerësisht për Ukrainën, zyrtarët e Kievit nuk patën një vend të rezervuar në tryezë. Pala amerikane ka nënvizuar se takimi i sotëm nuk është për nisjen e negociatave të paqes, por për të testuar nëse Rusia dëshiron seriozisht që t’i japë fund luftës në Ukrainë.

Moska thotë se ka prioritet “normalizimin e marrëdhënieve me SHBA-të.

Në nisje të takimit, pjesëtarët e të dyja delegacioneve qëndruan në heshtje, pa u përgjigjur interesimit të mediave për komente. Emisari amerikan për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, u pa të mbante disa shënime.

Sekretari i shtetit, Marco Rubio, u pyet nga gazetarët nëse Uashingtoni do të mbajë anën e Ukrainës dhe çfarë lëshimesh do t’i kërkoheshin Rusisë.

Por kryediplomati amerikan nuk u përgjigj. Mediat ndërkombëtare raportojnë se gjatë bisedës me dyer të mbyllura, palët do të jenë plotësisht të vetëm.

Organizatorët sauditë kanë qëndruar në dhomë vetëm për të bërë deklaratën mikpritëse dhe më pas janë larguar duke lënë kokë më kokë, “shahistët” e gjeopolitikës, Marco Rubio dhe Sergej Lavrov.

Është e paqartë nëse palët mund të pajtohen për diçka, pavarësisht se Ukraina ka konfirmuar se nuk do të pranojë asgjë që negociohet për të, pa praninë e zyrtarëve të saj në tryezë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos