Kopliku: PD me denoncime e ngriti popullin, protestat jo rezultat i zgjimit në shoqëri

Nga A2 CNN
17 Qershor 2026, 20:51 | Politikë
 

Drejtuesi i programit Brain Gain në PD, Ted Kopliku, ka komentuar protestat qytetare dhe rolin e opozitës në mobilizimin e qytetarëve, duke kundërshtuar idenë se ato janë produkt i një zgjimi të papritur të shoqërisë shqiptare.

I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Kopliku u shpreh se nuk ka ndodhur ndonjë ndryshim thelbësor në realitetin politik të vendit krahasuar me vitin 2025 dhe se kërkesat e artikuluara në protesta përkojnë me ato që, sipas tij, PD ka ngritur prej vitesh.

Ai theksoi se PDka luajtur rol kyç në ndërgjegjësimin e qytetarëve për problematikat që denoncon, duke argumentuar se pakënaqësia e akumuluar në shoqëri është rezultat i punës dhe denoncimeve të vazhdueshme të PD-së.

 “Unë kam një qasje më pak romantike për protestën sepse s’më duket se vjen si rezultat i ndonjë zgjimi në shoqërinë shqiptare, pra s’ka ndodhur asnjë ndryshim nga 2025-a dhe nuk ka asnjë artikulim tjetër nga ajo që kemi artikuluar ne si PD, prej 2013-ës. S’është e vërtetë që ne s’e motivuam popullin. Ishim të vetmit që e ngritëm popullin. Ajo pika që derdhi kupën dhe mbushi sheshin, atë kupën e kemi mbushur ne, me denoncimet tona, me qasjen e PD, ku prej nesh populli shqiptar e di kush e vjedh Shqipërinë, sa e vjedh Shqipërinë, cilat banda bashkëpunojnë me organizatën që futen 19 kriminelë në Parlament. S’është e vërtetë që s’është ngritur populli. Unë kam qenë folës në protestën e PD dhe nuk shihej fundi. Aty në protestë ka njerëz të pakënaqur, të frustruar, qorista, lapista, shehista, patjetër edhe demokratë, dhe disa njerëz që xhiron e liqenit e kanë transferuar në bulevard”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos