Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se Edi Rama po sulmon protestuesit dhe rrjetet sociale kudo që udhëton jashtë vendit duke i cilësuar ato si burim deformimit të realitetit. Ai tha se Rama po shmang përballjen me problemet e korrupsionit, kostot e larta të jetesës dhe dështimet në projektet publike. Sipas Berishës, fjalimi i Ramës në Berlin ishte aq i ashpër ndaj kritikëve saqë as Enver Hoxha nuk do të kishte folur ndryshe.
“Vazhdon të përdorë udhëtimet ndërkombëtare për të sulmuar në mënyrë absolutisht amorale protestën, internetin dhe mediat sociale, të cilat sipas tij po e transformojnë realitetin. Po a ka realitet më të hidhur sesa raporti i OSBE-së që e akuzonte direkt për 200 milion euro në llogari offshore në vitin 2014 dhe që s’bëri gjë as mëk, se nxirrnin faturat. A ka realitet më të hidhur sesa djegësat 400 milion euro, s’funksionon asnjë; kryesori s’është ndërtuar, të tjerët janë jashtë përdorimi. Por këtë realitet nuk e lë vjedhja ta shohë; ia ka verbuar sytë vjedhja dhe pushteti”, tha Berisha, përcjell A2 CNN.
“A ka realitet më të hidhur sesa impianti i përpunimit të ujërave të zeza të Tiranës, 120 milion dollarë kredi japoneze, e qeverisë japoneze për Shqipërinë, dhe s’ka, është njëlloj si djegësi i Tiranës. A ka realitet më të hidhur sesa kostot e punëve publike 8–10 herë më të larta se në Bashkimin Europian? A ka realitet më të hidhur sesa zbatimin vetëm të 5% të projekteve në afatin e caktuar? Turp të ketë Enver Hoxha; s’mund të fliste më ndryshe ky në Berlin”. (A2 Televizion)