Amendamenti i BE për zonat e mbrojtura, Tabaku: Shqipëria europiane kërkon fundin e privilegjeve

Nga A2 CNN
17 Qershor 2026, 16:09 | Politikë

Amendamenti i BE për zonat e mbrojtura, Tabaku: Shqipëria europiane

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, reagoi pas miratimit në Parlamentin Europian të amendamentit mbi Raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë 2025, ku kërkohet vendosja e një moratoriumi për lejet dhe ndërhyrjet e reja në zonat e mbrojtura deri në harmonizimin e plotë të legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Europian.

Përmes një postimi në facebook, Tabaku akuzoi kryeministrin Edi Rama për dezinformim të opinionit publik dhe tha se amendamenti i miratuar në Parlamentin Europian mbështet shqetësimet e ngritura prej kohësh për ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura të miratuara gjatë vitit 2024, shkruan A2CNN. 

Sipas saj, këto ndryshime krijuan mundësi për përfitime të interesave të ngushta në territore me vlera të larta natyrore dhe mjedisore, ndërsa theksoi se disa prej përfituesve të këtyre skemave janë aktualisht nën hetim nga SPAK.

Postimi:

Disinformuesi më i madh opinionit publik në Shqipëri foli përsëri!
Euforia e atyre që kanë ngritur një sistem në shërbim të pakicës dhe jo të interesit publik nuk mund të fshehë të vërtetën.
Një nga mekanizmat përmes të cilëve u ndërtua ky sistem ishte ndryshimi i ligjit për zonat e mbrojtura në vitin 2024. Përmes këtyre ndryshimeve u hap rruga që prona dhe troje me vlerë të jashtëzakonshme të kalonin në duart e interesave të ngushta, ndërsa sot disa prej përfituesve të kësaj skeme janë nën hetim nga SPAK.
Pikërisht për këtë arsye, amendamentet e Parlamentit Europian kërkojnë rikthimin e kuadrit ligjor përpara ndryshimeve të vitit 2024. Njësoj siç kërkojnë heqjen e ligjit të investimeve strategjike, një ligj që është shndërruar në simbol të trajtimit preferencial, privilegjeve dhe kapjes së shtetit nga interesa të veçanta.
Shqipëria mund të bëhet pjesë e Europës vetëm duke çmontuar sistemin e pakicës që punon për një grusht njerëzish dhe që ka dëmtuar ekonominë, konkurrencën dhe besimin te shteti. Kjo kërkon reforma të thella, institucione të forta dhe barazi para ligjit.
Ata që ndërtuan arkitekturën e shtetit të kapur nuk mund të jenë ata që do të ndërtojnë Shqipërinë europiane. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos