Parlamenti Europian miratoi në seancën e së mërkurës raportin për Shqipërinë, duke rikonfirmuar mbështetjen për procesin e integrimit europian të vendit.
483 deputetë votuan pro, 103 kundër dhe 70 abstenuan. Raporti, i hartuar nga raportuesi për Shqipërinë Andreas Schieder, u votua bashkë me disa amendamente, përfshirë atë që i jep zë shqetësimeve për zhvillimet e vazhdueshme brenda zonës së mbrojtur në Vjosë-Nartë. Po ashtu ky amendament u bën thirrje autoriteteve shqiptare që të vendosin një moratorium për ndërtimet në zonat e mbrojtura deri sa të shfuqizohen dispozitat e papajtueshme të Ligjit të ndryshuar për Zonat e Mbrojtura.
“Shpreh shqetësim të thellë se zhvillimet e vazhdueshme brenda zonës së mbrojtur Vjosa–Nartë tregojnë pasojat konkrete të këtyre ndryshimeve ligjore dhe rreziqet që ato paraqesin për zonat me vlera të njohura ekologjike; ndjek nga afër protestat paqësore masive që po zhvillohen në këtë kuadër; u bën thirrje autoriteteve shqiptare që të vendosin menjëherë një moratorium për të gjitha procedurat e reja të lejeve, punimet ndërtimore dhe ndërhyrjet zhvillimore në zonat e mbrojtura, derisa të shfuqizohen dispozitat e papajtueshme të Ligjit të ndryshuar për Zonat e Mbrojtura, në përputhje me kërkesat e kahershme të Komisionit dhe Parlamentit Evropian dhe me kriteret përmbyllëse të Kapitullit 27 si dhe derisa të garantohet përputhshmëria e plotë me standardet e BE-së për mbrojtjen e natyrës.”
Amendamenti 17
Ndërkohë amendamenti 4, në të cilin përmendej konkretisht projekti për Zvërnecin dhe Sazanin, që nxiti nisjen e protestave në Tiranë, u rrëzua. Ai shprehej kundër ligjit për investimet strategjike dhe ndikimit në zonat e mbrojtura dhe bënte thirrje për shfuqizimin e ndryshimeve të 2024-ës në Ligjin për Zonat e Mbrojtura.
Kryeministri Edi Rama përshëndeti miratimin e raportit nga Parlamenti Europian dhe rrëzimin me shumicë dërrmuese, siç tha, të amendamentit të 4.
“PE ndau shapin e stuhisë digjitale të dezinformimit nga zona e mbrojtur Vjosë-Nartë, e cila nuk ka asnjë lidhje me zhvillimin që europarlamentarët e rrëzuar me votën e shumicës dërrmuese, futën qorrazi si amendament të rezolutës për Shqipërinë”, ishin fjalët e Ramës.
Pak ditë më parë kryeministri Rama u tha gazetarëve europianë se gjithësesi ligji i investimeve strategjike e ka kryer misionin e tij dhe se një nismë të re do ta ndërmerrte me Bashkimin Europian.
(A2 Televizion)