Irani godet edhe Kuvajtin, sulme ndaj centraleve të energjisë dhe objekteve të naftës!

Nga A2 CNN
18 Korrik 2026, 15:30 | Bota

Irani godet edhe Kuvajtin, sulme ndaj centraleve të energjisë dhe

Tensionet në Lindjen e Mesme vijojnë të përshkallëzohen, teksa Irani ka ndërmarrë sulme ndaj objekteve strategjike në Kuvajt, duke shkaktuar zjarre, të plagosur dhe dëme të konsiderueshme materiale.

Departamenti i Zjarrfikësve të Kuvajtit bëri të ditur se ekipet e emergjencës ndërhynë për të shuar flakët në dy zona të ndryshme të vendit, të shkaktuara nga sulmet. Sipas autoriteteve, gjatë operacioneve të shpëtimit mbetën të plagosur disa zjarrfikës dhe një punonjës, të cilët u transportuan në spital për të marrë ndihmën mjekësore.

Më herët, Ministria e Energjisë Elektrike, Ujit dhe Energjisë së Rinovueshme njoftoi se një central i dytë i prodhimit të energjisë dhe shkripëzimit të ujit u godit nga një sulm iranian. Si pasojë, shpërtheu një zjarr në një nga sektorët e uzinës, ndërsa autoritetet pezulluan funksionimin e disa njësive për arsye sigurie, shkruan A2CNN. 

Ndërkohë, Korporata Kombëtare e Naftës e Kuvajtit konfirmoi se një tjetër objekt i industrisë së naftës u godit nga sulme të përsëritura, duke shkaktuar të plagosur dhe dëme të mëdha materiale. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve KUNA, objekti u evakuua menjëherë, ndërsa të lënduarit morën trajtim mjekësor.

Sulmi ndaj centralit të energjisë përbën goditjen e dytë iraniane ndaj një impianti energjetik në Kuvajt brenda dy ditësh, duke shtuar shqetësimet për përshkallëzimin e konfliktit në rajon. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos