“Ishte si një film horror”. Venezuela shkundet nga tërmetet, priten mbi 10 mijë viktima

Nga Rosalba Bejdo
25 Qershor 2026, 10:33 | Bota

Dy tërmete të fuqishme goditën Venezuelën të mërkurën, duke shkaktuar qindra viktima e të plagosur dhe duke shndërruar në rrënoja dhjetëra ndërtesa në kryeqytetin Karakas dhe rrethinat e tij.

Një lëkundje me magnitudë 7.2 u regjistrua 160 kilometra në perëndim të Karakasit, e ndjekur nga një tjetër tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.5, më pak se një minutë më vonë. Një paralajmërim për cunami pasoi lëkundjet, por u anulua menjëherë pasi rreziku kaloi. Lëkundjet u ndjenë deri në Bogota të Kolumbisë.

Bilanci fillestar flet për 32 viktima të konfirmuara dhe rreth 700 të plagosur, por Instituti Gjeologjik Amerikan, i cili mbështetet në modele parashikuese për vlerësimin e numrit të viktimave, thotë se me gjasë shifrat do të arrijnë në mijëra të vdekur, potencialisht duke tejkaluar 10 mijë.

Pamjet filmike treguan ekipet e emergjencës duke lëvizur me nxitim mes rrënojave të një ndërtese të shembur në kryeqytet. Të afërm të dëshpëruar kërkonin ndihmë për familjarët e tyre, ndërsa zëra dëgjoheshin nga rrënojat.

Të mbijetuarit përshkruajnë skena të ngjashme me një film horror, përcjell A2 CNN. "Të gjitha muret ishin çarë. Arritëm ta hapnim derën me shumë vështirësi. Kishte një re pluhuri që nuk na lejonte të shihnim asgjë. Kur zbritëm poshtë, skena dukej si në një film horror. Duhej të kalonim mbi rrënoja dhe mbeturina. Administratori i pallatit po zbriste me foshnjën dhe edhe fqinjët e tjerë po dilnin. Por nga ajo ndërtesë pashë vetëm një familje që arriti të dilte”, thotë Maria Alejandra.

Presidentja e përkohshme, Delcy Rodríguez, tha se bilanci paraprak i viktimave nuk përfshin rastet nga shteti La Guaira, zona më e goditur nga fatkeqësia pranë Karakasit, ku ndodhet edhe aeroporti i qytetit, i cili ishte mbyllur.

“Duhet t’ju informoj se shteti më i prekur nga ky fenomen sizmik me pasoja të pallogaritshme është La Guaira. Dhjetëra ndërtesa janë shembur dhe, në këto momente, ne po punojmë intensivisht në operacionet e kërkim-shpëtimit për të shpëtuar sa më shumë jetë që të jetë e mundur, aq sa Zoti na e lejon”, tha ajo.

Një faqe interneti e krijuar për të gjurmuar personat e zhdukur raportonte pak pas orës 02:00 të mëngjesit me orën lokale se mbi 6.600 persona ishin shpallur të pagjetur.

Shumë venezuelas ndodheshin në shtëpitë e tyre kur tërmetet goditën gjatë pasdites së një dite pushimi zyrtar.

Presidenti amerikan Donald Trump tha në një postim në rrjetet sociale se SHBA-ja qëndronte e gatshme për të ndihmuar në përballimin e katastrofës. Po ashtu, udhëheqësit e vendeve si El Salvadori, Republika Domenikane, Brazili dhe Spanja ofruan mbështetjen e tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos