Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe Sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin, kanë kërcënuar Izraelin me embargo armësh nëse brenda 30 ditësh nuk merr masa për të përmirësuar situatën humanitare në Gaza, shkruan A2 CNN.
Më e rëndësishmja nga këto pasoja është embargoja e armëve, një lëvizje që do të vendoste në një pozitë jashtëzakonisht të vështirë si qeverinë e Netanyahut, ashtu edhe operacionet e vazhdueshme ushtarake.
Në mënyrë më të detajuar, bazuar në raportimin e disa ditëve më parë të mediave izraelite, gjatë një bisede telefonike që Yoav Galand pati me homologun e tij amerikan, Lloyd Austin, Sekretari Amerikan i Mbrojtjes e informoi se brenda Shtëpisë së Bardhë tani ka presione të forta në lidhje me mënyrën se si Izraeli po menaxhon krizën humanitare në Gaza.
Sakaq, në një mënyrë të paprecedentë rezulton se Izraeli mund ta godasë Hezbollahun më tej nga lindja përgjatë kufirit të Libanit. Në të njëjtën kohë, duke krijuar një zonë të sigurt nga e cila mund të zbulojë lirisht grupin e armatosur dhe të parandalojë infiltrimin, thanë burimet. Një shenjë kjo që tregon se Izraeli mund të zgjerojë operacionet e tij tokësore kundër Hezbollahut, ndërkohë që forcon mbrojtjen e vet. Trupat e tij kanë pastruar minat tokësore dhe kanë vendosur barriera të reja në kufirin midis Lartësisë Golan të pushtuar nga Izraeli dhe një brezi të çmilitarizuar në kufi me Sirinë, citon Reuters.
Ndërkohë, Zëvendës shefi i Hezbollahut, Naim Qassem në një video të rrallë tha se grupi i mbështetur nga Irani do t'i shkaktonte "dhimbje" Izraelit, por ai gjithashtu bëri thirrje për një armëpushim në Liban.
“Meqenëse armiku i Izraelit ka vënë në shënjestër të gjithë Libanin, ne kemi të drejtë, nga pozicioni mbrojtës, të synojmë çdo pikë në entitetin e armikut izraelit, qoftë në qendër, në veri apo në jug. Ne do të zgjedhim pikën që e shikojmë si të përshtatshme. I them Komandës së Frontit të Brendshëm Izraelit, zgjidhja është një armëpushim. Ne nuk po flasim nga një pozicion dobësie. Nëse Izraeli nuk dëshiron, ne do të vazhdojmë. Pas armëpushimit, sipas marrëveshjes indirekte, kolonët do të kthehen në veri dhe do të përpilohen hapa të tjerë”, deklaroi Qassem.
Pentagoni nga ana e tij ka bërë të ditur se komponentët për një sistem të avancuar antiraketë filluan të mbërrinin në Izrael dhe se ai do të ishte plotësisht funksional në të ardhmen e afërt. (A2 Televizion)