Luftë e ashpër në Gaza, OKB: Sulmi në kampin e refugjatëve, mbase një krim lufte

Nga Xhevahir Qardaku
2 Nëntor 2023, 11:17 | Bota

Luftë e ashpër në Gaza, OKB: Sulmi në kampin e

Shpërthime, raketa, të shtëna me armë dhe shkatërrim. Gaza përjetoi orë të tjera të vështira me luftime shumë të ashpra. Ushtria e Izraelit thotë se ka vrarë dhjetëra luftëtarë të Hamasit, duke konfirmuar se trupat kanë çarë në linjat e mbrojtjes së rivalëve në fushën e betejës.

Më shumë civilë pritet që të largohen nga Gaza përmes pikës kufitare Rafah me Egjiptin, ndërsa 400 shtetas të huaj u larguan, gjatë të mërkurës, për herë të parë që prej shpërthimit të luftës. Qeveria e Kajros njofton se do të ndihmojë në evakuimin e rreth 7 mijë të huajve nga territori palestinez. Hamasi njoftoi se të paktën 195 palestinezë janë vrarë në një seri sulmesh ajrore izraelite në kampin e refugjatëve Jabalia në Gaza. 120 të tjerë rezultojnë ende të zhdukur.

Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, konfirmoi se bombardimet nga ana e Izraelit në kampin e refugjatëve të Palestinës, Jabalia, mund të jetë një krim lufte. Arsyeja kryesore për këtë vlerësim është numri i lartë i viktimave ndër civilë. Zëri i protestës në kërkim të paqes po hyn deri në Shtëpinë e Bardhë.

Një grua hebreje është përballur me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, në lidhje me luftimet mes Izraelit dhe Hamasit, duke kërkuar vendosjen e një armëpushimi të menjëhershëm. Ndonëse turma u përpoq ta pengonte gruan të fliste më tej, ishte vetë presidenti Biden ai që konfirmoi se duhet një ndalim i luftimeve deri në lirimin e “të burgosurve”.

“Ne do të vazhdojmë të pohojmë se Izraeli ka të drejtë dhe përgjegjësi për të mbrojtur qytetarët e tij nga terrori dhe duhet ta bëjë këtë në një mënyrë që të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare, që i jep përparësi mbrojtjes së qytetarëve. Ne të gjithë kemi panë pamjet shkatërruese nga Gaza, fëmijët palestinezë që bërtasin për prindërit e humbur, prindërit që shkruanin emrat e fëmijëve të tyre në duar dhe këmbë për t'u identifikuar”, tha Presidenti Biden.

Senatorët amerikanë po zhvillojnë takime për të ndërtuar një forcë shumëkombëshe në Gaza, pasi Izraeli të ketë shkatërruar dhe zhdukur Hamasin. Misioni kryesor i saj do të jetë të ruajë paqen.

Që prej nisjes së luftës më 7 tetor, Hamasi ka vrarë 1400 izraelitë dhe ka marrë peng 239 të tjerë, ndërsa reagimi i furishëm i Tel Avivi rezultoi në vrasjen e më shumë se 8700 palestinezëve, ku një pjesë e konsiderueshme janë gra dhe fëmijë.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos