Masakra në Gaza, 66 palestinezë të vrarë nga sulmet izraelite

Nga Erjon Dervishi
13 Dhjetor 2024, 15:31 | Bota

Masakra në Gaza, 66 palestinezë të vrarë nga sulmet

Një sulm izraelit vrau të paktën 30 palestinezë dhe plagosi 50 të tjerë të cilët ishin strehuar në një zyrë postare në Rripin qendror të Gazës, duke e çuar numrin e të vdekurve të enjten në enklavë në 66. Pa asnjë shenjë pushimi në konfliktin 14-mujor, sulmi goditi një objekt postar në kampin Nuseirat ku familjet e zhvendosura kishin kërkuar strehim dhe gjithashtu dëmtoi disa shtëpi aty pranë, thanë mjekët për Reuters. Nga ushtria izraelite nuk pati ndonjë koment.

Nuseirat është një nga tetë kampet historike të Rripit të Gazës fillimisht për refugjatët palestinezë nga lufta e vitit 1948 rreth krijimit të Izraelit. Sot, ajo është pjesë e një zone të dendur urbane të mbushur me njerëz të zhvendosur nga e gjithë enklava. Më herët, dy sulme izraelite në Gazën jugore vranë 13 palestinezë për të cilët mjekët e Gazës dhe Hamasi thanë se ishin pjesë e një force që mbron kamionët e ndihmave humanitare. Ushtria izraelite tha se ata ishin militantë të Hamasit që përpiqeshin të rrëmbenin dërgesën. Shumë prej të vrarëve në sulmet në Rafah dhe Khan Younis kishin lidhje me Hamasin, sipas burimeve pranë grupit, citon Reuters.

Ushtria izraelite tha në një deklaratë se dy sulmet ajrore synonin të siguronin shpërndarjen e sigurt të ndihmave humanitare dhe akuzoi anëtarët e Hamasit për planifikimin për të parandaluar që ndihma të arrijë civilët e Gazës që kanë nevojë për të, shkruan A2.

Bandat e armatosura kanë rrëmbyer vazhdimisht kamionë me ndihma dhe Hamasi ka formuar një grup pune për t'u përballur me ta. Forcat e udhëhequra nga Hamas kanë vrarë mbi dy duzina anëtarë të bandave në muajt e fundit, thanë burime dhe mjekë të Hamasit. Hamasi tha se sulmet ushtarake izraelite kanë vrarë të paktën 700 policë të ngarkuar me sigurimin e kamionëve me ndihma në Gaza që nga fillimi i luftës më 7 tetor 2023. Ai ka akuzuar Izraelin se po përpiqet të mbrojë plaçkitjen dhe "krijimin e anarkisë dhe kaosit për të parandaluar ndihmat të arrijnë në popullit të Gazës”.

Ndërkohë Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan tha të enjten se ai beson se Izraeli është i përgatitur të arrijë një armëpushim me Hamasin në Gaza pas takimit me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Jerusalem. Sipas raporteve të mediave amerikane pozicioni negociues i Hamasit është zbutur, duke rënë dakord potencialisht për një prani të përkohshme ushtarake izraelite në Gaza pas armëpushimit. Megjithatë, Hamasi nuk i është përgjigjur ende këtij informacioni. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos