Raundi i parë i bisedimeve mes zyrtarëve të lartë amerikanë dhe atyre iranianë në Zvicër, përfundoi këtë të hënë pas një nisjeje të tensionuar, e shënjuar nga njoftimi i Teheranit për mbyllje të ngushticës së Hormuzit dhe kërcënimi i Donald Trump për të rinisur sulmet ndaj Iranit.
Sipas një deklarate të përbashkët nga vendet ndërmjetësuese, Katari dhe Pakistani, SHBA dhe Irani ishin dakordësuar mbi një plan veprimi drejt marrëveshjes finale brenda 60 ditëve.
Bisedimet teknike do të vazhdojnë përgjatë gjithë javës në resortin malor zviceran të Buergenstock, në pronësi të Katarit. Palët u pajtuan mbi një mekanizëm për t’i dhënë fund luftimeve në Liban dhe hapën një linjë komunikimi për të garantuar kalimin e sigurt të anijeve tregtare në ngushticën e Hormuzit.
“Samiti i Liqenit të Lucernës u zhvillua në një atmosferë pozitive dhe konstruktive. Është arritur përparim inkurajues, duke përfshirë krijimin e një mekanizmi për vazhdimin e bisedimeve teknike. Duke u mbështetur në Memorandumin e Mirëkuptimit, palët kanë rënë dakord për krijimin e një Komiteti të Nivelit të Lartë, i cili do të sigurojë mbikëqyrjen politike të procesit të ndërmjetësimit”, thuhet në deklaratë.
Bisedimet, ku mori pjesë zv. presidenti JD Vance, nisën të dielën dhe vijuan deri në orët e para të së hënës.
Në një postim në rrjetet sociale, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araqchi tha se vendi i tij kishte siguruar përjashtime nga sanksionet për eksportet e naftës dhe produkteve petrokimike, zhbllokimin e një pjese të aseteve të ngrira, si dhe nisjen e një plani për rindërtimin dhe zhvillimin e Iranit.
Pak para nisjes së bisedimeve të dielën, presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi zyrtarët iranianë se nuk do të kishin më një vend dhe se do të godiste më fort se më parë, nëse Teherani mbyllte sërish ngushticën jetike dhe nuk mbante nën fre Hezbollahun.
Më herët ai kishte paralajmëruar se SHBA mund të marrë kontrollin e Hormuzit, duke vendosur edhe taksa.
Pas publikimit të deklaratave të tij për Fox News, situata në Zvicër u tensionua, me delegacionin iranian që refuzoi të kthehej në dhomën e bisedimeve. Mesazhet u përcollën përmes negociatorëve.
Irani mbylli ngushticën pas sulmeve izraelite në Liban, por presidenti Vance u përpoq të minimizonte situatën duke thënë se luftimet atje do të merrnin fund shpejt. (A2 Televizion)