
I dërguari special i presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff, do të jetë nesër në Turqi, ku do të marrë pjesë në bisedime me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, tha një burim turk për Reuters.
Zelensky njoftoi se do të ishte në Turqi nesër pas vizitës së tij në Spanjë sot, duke shtuar se Ukraina po përgatitej të rifillonte negociatat dhe kishte "zhvilluar zgjidhje" që do t'u propozonte partnerëve të saj. Presidenti ukrainas nuk zbuloi detaje të udhëtimit të tij, por agjencitë e lajmeve raportuan se ai do të takohej me të dërguarin special të Shteteve të Bashkuara, Steve Witkoff, si dhe me Presidentin Rexhep Tajip Erdogan, në Ankara.
Witkoff ka udhëhequr përpjekjet diplomatike të Uashingtonit për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë, duke u takuar disa herë me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë.
Ndërkohë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve se asnjë përfaqësues rus nuk do të marrë pjesë në bisedimet e 19 nëntorit, por presidenti Vladimir Putin ishte i hapur për biseda me SHBA-në dhe Turqinë mbi rezultatet e bisedimeve.
“Për momentin, këto kontakte po zhvillohen pa pjesëmarrjen ruse. Do të presim informacion se çfarë do të diskutohet në të vërtetë në Stamboll”, tha ai gjatë konferencës së tij të përditshme me gazetarë (A2 Televizion)