I vrau ish-dhëndërri, u jepet lamtumira e fundit çiftit Plaku. Autori varroset të dielën

Nga A2 CNN
25 Korrik 2026, 17:21 | Kronikë

Fshatin Vidhishtë në Roskovec mëngjesin e kësaj të shtune e pushtoi zia.

Heshtjen e dhimbjes e thyenin hapat e grave të veshura me të zeza e të burrave që ecnin me peshën e dhimbjes për t’i dhënë lamtumirën e fundit bashkëshortëve Kosta dhe Belere Plakut, të vrarë nga dora e ish të fejuarit së vajzës.

Dhimbja nuk ia lejonte mundësinë të shpreheshin për mediet, por duket se banesa që kishin ngritur si strehën e sigurtë mbante brenda peshën e ofshamës së gjithë fshatit.

Kortezhi i gjatë i përcolli në banesën e fundit nën vajin e të afërmve dhe dramës që solli arma e shkrehur mëngjesin e së premtes.

Pak më tej ndodhej dhe shtëpia e autorit Nertil Buzi, i cili vrau veten pas rreth 9 orësh rrethimi prej RENEA-s. Zia e tragjedisë kishte rënë dhe aty e të paktën për të mos krijuar tensione 35-vjeçari do të varroset të dielën.

Një fejesë e nisur me shpresën e të ardhmes e përfunduar me vrasje e pengmarrje. Një dramë e mbylllur me tre arkivole që oshëtin prej një tragjedie që shpesh kthehet si hije e rëndë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos