Ministri i Jashtëm i Ukrainës ka mirëpritur mesazhin "të fortë" të Presidentit Donald Trump për Vladimir Putin, pasi Presidenti amerikan kërcënoi Rusinë me më shumë taksa dhe sanksione nëse nuk i jep fund luftës së saj me Ukrainën.
“Ne i mirëpresim vërtet mesazhe kaq të forta nga Presidenti Trump”, thotë Andriy Sybiha, duke folur në një panel në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, shkruajnë mediat e huaja.
"Ne besojmë se (Trump) do të jetë fituesi," shton ai, duke thënë se Ukraina shpreson se kjo do të sjellë "një dinamikë të re në përpjekjet diplomatike për t'i dhënë fund kësaj lufte dhe për të arritur një paqe afatgjatë, të drejtë dhe gjithëpërfshirëse".
Më herët, Kremlini i është përgjigjur gjithashtu Trumpit, duke thënë se mbetet “i gatshëm për një dialog të barabartë, një dialog të respektueshëm reciprok”.
Kujtojmë se Trump ka planifikuar të flasë në Forumin Ekonomik Botëror në orën 16:00 me orën lokale, shkruan A2 CNN. (A2 Televizion)