Në disa resorte të Durrësit, çmimet kanë arritur deri në 300 euro nata gjatë sezonit veror. Këtë shqetësim ndau në Dita Jonë gazetari i A2 CNN Marjo Brakaj, sipas të cilit në jug të vendit ka struktura që ofrojnë akomodim me 500 deri në 700 euro nata.
“Në Durrës për shembull, resorte elitare të cilat për momentin fillon akomodimi nga 300 euro nata që është një çmim relativisht i lartë për t'u përballuar. Në sezonin prill, maj ti mund ta gjesh për 150 euro me ofertë, ndërkohë që tashmë që jemi në fillim të nisjes së sezonit masiv turistik veror, çmimi ka shkuar në 300 euro, ndërkohë që ti nëse shkon në jug mund të gjesh çmime 500-700 euro për akomodimin, pa futur këtu pjesën e gastronomisë, të ushqimit, pa futur pijet e të tjerë”, tha ai në Dita Jonë në A2 CNN.
Sipas gazetarit të A2 CNN, vendi është promovuar prej vitesh si një destinacion me kosto të ulët, por turistët që mbërrijnë në Shqipëri përballen shpesh me një realitet ndryshe. Sipas tij, zhvlerësimi i valutave të huaja kundrejt lekut dhe rritja e çmimeve të shërbimeve kanë ndikuar drejtpërdrejt në kostot e pushimeve.
“Turistët janë joshur me idenë e një destinacioni të lirë, por kur vijnë këtu përballen me çmime më të larta se sa prisnin. Euro, dollari, paundi dhe franga zvicerane blejnë më pak se më parë, ndërsa kostot e akomodimit dhe gastronomisë janë rritur”, u shpreh gazetari i A2 CNN Marjo Brakaj.
Sipas të dhënave të fundit të Banka e Shqipërisë, një turist i huaj shpenzon mesatarisht 468 euro gjatë qëndrimit në Shqipëri, përfshirë transportin dhe akomodimin. Megjithatë, ai tha se shifra reale mund të jetë më e lartë për shkak të nivelit të informalitetit në ekonomi.
Sipas gazetarit të A2 CNN, theksoi se shteti nuk mund të ndërhyjë drejtpërdrejt në përcaktimin e çmimeve, pasi Shqipëria funksionon sipas parimeve të tregut të lirë. Megjithatë, ai nënvizoi se bizneset duhet të tregojnë kujdes për të ruajtur ekuilibrin mes fitimit afatshkurtër dhe zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit.
“Nëse çmimet rriten përtej asaj që turistët janë të gatshëm të paguajnë, tregu do të reagojë vetë. Vende si Greqia, Kroacia apo Malta kanë ndërtuar një kulturë të turizmit afatgjatë duke ruajtur balancën mes cilësisë dhe çmimeve”, tha ai.
Ndërkohë, statistikat tregojnë se deri në muajin maj Shqipëria është vizituar nga 3.7 milionë të huaj, ndërsa 2.8 milionë dalje jashtë vendit janë regjistruar nga shtetas shqiptarë. Sipas ekspertëve, një pjesë e shqiptarëve po zgjedhin gjithnjë e më shumë destinacione të huaja, jo vetëm për shkak të çmimeve, por edhe për të eksploruar alternativa të reja turistike.
Shqipëria vijon të tërheqë kategori të ndryshme turistësh, nga ata që zgjedhin pushime ekonomike deri te turistët elitarë që frekuentojnë resortet luksoze dhe shpenzojnë shuma të konsiderueshme gjatë qëndrimit në vend.
(A2 Televizion)