404 mln euro në tre muaj, prona dhe energjia kryesojnë investimet e huaja në Shqipëri

Nga Mario Brakaj
15 Qershor 2026, 19:13 | Ekonomi

404 mln euro në tre muaj, prona dhe energjia kryesojnë investimet e

Me gjithë krizën për të gjetur punonjës, kostot e shtuara nga rritja e pagave dhe forcimi i lekut, sipërmarrësit e huaj po vijojnë të investojnë në Shqipëri. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se vlera e investimeve nga jashtë në tre muajt e parë të vitit kapi shifrën e 404 milionë eurove, 43 milionë më tepër se në janar-mars 2025. Ky është niveli më i lartë i shënuar ndonjëherë

Mark Crawford, investitor amerikan shprehet: “Është shifër e madhe për Shqipërinë, marrë parasysh se kjo e fundit është e vogël. Është një trend pozitiv. Kemi ecur mirë, por sërish është i vogël.”

Rritja e vlerës së pronave në vend ka tërhequr edhe vëmendjen e të huajve duke renditur në krye të investimeve të huaja pikërisht blerjet e pasurive të patundshme. Lista pasohet nga investimet në industrinë e ndërmjetësimit financiar, energji, komunikacion dhe hidrokarbure.

Mark Crawford shton:  “Ka shumë turistë të huaj që veçanërisht po investojnë te pasuritë e paluajtshme dhe jo vetëm Janë sektor ku përgjithësish nuk kërkohet ndonjë fuqi punëtore e madhe. Gjithçka gjendet gati dhe investimi kryhet pa pengesa.”

Megjithatë, rritja e investimeve të huaja tashmë po dominohet dukshëm nga fitimet e rri-investuara të ndërmarrjeve, ndërsa prurjet e reja të kapitalit janë pothuajse në vendnumëro. Sipas Bankës së Shqipërisë, fitimet e ri-investuara në harkun e muajve janar-mars arritën në 206 milionë euro, ose sa 51 për qind e fluksit total të investimeve në tre muaj.

 “Ky duhet lexuar si lajm pozitiv pasi tregon se kapitali nuk po shkon jashtë, por po ri-investohet në Shqipëri”, shton Mark Crawford.

Holanda, Italia dhe Turqia janë shtetet që kryesojnë listën për vlerën e investimeve të huaja në Shqipëri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos