
Mali i Zi ka dalë kundër Serbisë për sa i përket akuzave se ajo zhvillon luftë hibride ndaj kësaj të fundit. Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi i përshkroi si të pabazuara akuzat se Podgorica po i zhvillon këto luftra hibride, duke vlerësuar se deklaratat e tilla pasqyrojnë mungesën e gatishmërisë së një pjese të strukturave politike në Beograd për ta pranuar Malin e Zi si shtet sovran.
Reagimi erdhi pas pretendimeve të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, se Mali i Zi dhe mediat e tij marrin pjesë në veprime hibride kundër Serbisë.
Përmes një deklarate të postuar në platformën X, ministria malazeze vlerësoi se deklaratat e shpeshta nga shteti fqinj dëshmojnë mungesën e gatishmërisë së një pjese të strukturave politike për ta pranuar Malin e Zi si një shtet sovran dhe të barabartë, e jo si një hapësirë që duhet t’u rikthehet qendrave të imagjinuara politike.
Ajo shtoi se deklaratat e tilla, zakonisht, intensifikohen sa herë që Mali i Zi bën hapa para në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe kur afrohen zgjedhjet. (A2 Televizion)