Serbia, fushatë aktive në veri, “Vota për Listën Serbe, është ‘jo’ për Kurtin”

Nga Rosalba Bejdo
5 Qershor 2026, 22:07 | Rajoni & Bota

Ndërsa Lista Serbe i cilëson si “referendum” zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit në Kosovë, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë është angazhuar në terren për t'i bindur serbët e zhvendosur që të votojnë për këtë parti, të cilën e mbështet edhe Beogradi zyrtar.

Në një tubim të kësaj partie të mbajtur në Kraljevë, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë Serbe, Petar Petkoviç i ftoi serbët e Kosovës të marrin pjesë masivisht në zgjedhje dhe të votojnë për Listën Serbe, duke theksuar se çdo votë për këtë subjekt është një votë për mbijetesën dhe qëndrimin e popullit serb në Kosovë.

“Çdo votë e çdo serbi në Kosovë dhe Metohi për Listën Serbe është votë për mbijetesën dhe qëndrimin e popullit serb në Kosovë dhe Metohi, por edhe për vazhdimin e të gjithë ciklit të investimeve të Qeverisë së Republikës së Serbisë. Një votë për Listën Serbe është votë për të ardhmen e popullit tonë në Kosovë dhe Metohi.

Sipas tij, të gjithë ata që kanë dokumente të Kosovës dhe mund të ushtrojnë të drejtën e votës, duhet të votojnë për opsionin politik që mbështetet nga Beogradi, sepse është “shtylla kryesore e mbrojtjes së interesave kombëtare serbe në Kosovë e Metohi”.

Në fillim të qershorit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po ashtu bëri thirrje që të gjithë serbët e Kosovës të votojnë për Listën Serbe - gjë që ndodh para çdo procesi zgjedhor në Kosovë ku merr pjesë kjo parti.

E vetmja rivale e Listës Serbe në zgjedhje është Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit. Rashiq, në fakt, shihet si bashkëpunëtor i kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, në qeverinë e të cilit ka shërbyer si ministër në dy mandate.

Nga Lista Serbe, përveç narrativës se Rashiq “e ka shitur besimin për një darkë”, vijnë edhe mesazhe se vota për Listën Serbe është “jo” për Kurtin.

Ekspertët thonë se pluralizmi politik brenda komunitetit serb është reduktuar në minimum dhe se pjesëtarët e këtij komuniteti kanë ndjesinë se në zgjedhjet e së dielës zgjedhin mes politikës së Aleksandar Vuçiqit dhe asaj të Albin Kurtit.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos