Kryeministri Rama e ka cilësuar propozimin franko-gjerman si një model të integrimit të shpejtë, ku vendet e Ballkanit Perëndimor mund të ulen në tryezën e BE-së, por me një status të veçantë deri në anëtarësimin e plotë. BE, sipas Ramës, duhet të gjejë guximin për të pasur një moment të ri në sytë e botës.
"Unë e kam thënë prej kohësh. Më në fund u dëgjua, por tanimë nuk është e mjaftueshme. Besoj që Europa, në radhë të parë për veten e saj duhet të bëhet më e guximshme, duhet ta mbajë procesin e bazuar në meritë, duhet të shkojë në drejtimin gradual, por duhet të gjejë kurajon për një moment të ri “Helmut Kohl”.
Kur bota u rrëzua, ku djali i madh nuk i tha Gjermanisë Lindore që ke 35 kapituj për t'i plotësuar para se të bashkohemi bashkë, por ai i tha ne do të bëhemi bashkë dhe më pas do t’ju ndihmojë për të ecur përpara. Prandaj nëse BE do t'i dërgojë një mesazh të fortë botës dhe t'i ngrejë rreth vetes një energji të re, duhet të thotë, ashtu siç jemi sot të gjithë përreth një tavoline, duhet të jemi të gjithë rreth një tryeze, por çdo njeri me statusin e tij, deri sa të bëhemi anëtarë të plotë. Mendoj që është e lehtë, prandaj bëhet më e komplikuar për t’u kuptuar.
Ajo çfarë duhet të bëjmë ne nga ana jonë është t'u japim atyre kurajo që të shtyjnë më fort procesin përpara, dhe pastaj vendimi final varet nga ata. Kjo është vetëm fillimi, jo fundi i diskutimeve, pasi tashmë diskutimi ka një zhvillim me dokumentin e ri franko-gjerman.
Kështu që shpresoj që dy miqtë e mi dhe dy liderë të respektuar të Gjermanisë dhe Francës të mund të gjejnë pak më shumë fuqi për të qenë pak më shumë si Kohl dhe Mitterrand. Nuk është një dhomë pritjeje, por më shumë integrim, ti nuk mund t'i thuash fëmijëve rri me komshiun deri sa të jesh gati për t’u ulur për të ngrënë me ne, sepse pastaj ndonjë nga fëmijët mund të njohë gangsterin rus, një fëmijë tjetër fillon të pëlqejë kukullat kineze e kështu më radhë. Prandaj duhet t'i mbledhësh të gjithë fëmijët bashkë. Kur Shqipëria do t'i bashkohet BE? Ka tre gjëra që nuk mund t'i parashikosh: Zotin, seksin dhe BE". (A2 Televizion)