
Protestat kundër projektit të resortit në Zvërnec pritet të vijojnë edhe gjatë ditës së shtunë, me organizatorët që kanë njoftuar tubime në Vlorë, Tiranë dhe Korçë.
Gazetari i A2 CNN, Anesti Bajramemaj, deklaroi se protesta e radhës do të mbahet në orën 11:00 në Portonovo të Vlorës, ndërsa në mbrëmje protestuesit do të rikthehen në kryeqytet.
“Kanë njoftuar protestën e radhës nesër në orën 11:00 në zonën e Portonovës në Vlorë, aty ku ndodhet edhe çështja që ka sjellë protestat.
Më pas, në orën 18:00 do të mblidhen te Sheshi Skënderbej dhe më tej në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, për të qëndruar përballë zyrës së kryeministrit Edi Rama”, u shpreh Bajramemaj.
Ndërkohë, protesta është shtrirë edhe në Korçë, ku qindra qytetarë iu bashkuan një tubimi të organizuar përmes rrjeteve sociale.
(A2 Televizion)