
Gazetari Enver Robelli ka komentuar situatën politike në Kosovë në prag të zgjedhjeve, duke theksuar nevojën për krijimin e institucioneve të qëndrueshme dhe gjetjen e zgjidhjeve për çështjet që kanë bllokuar jetën politike në vend.
I ftuar në emisionin “Në çdo kënd” në A2 CNN me Merita Haklajn, Robelli tha se shpreson që procesi zgjedhor të shërbejë si moment reflektimi për klasën politike dhe të çojë në krijimin e institucioneve funksionale.
“Gjithnjë duhet patur një shpresë që ky raund i ri i zgjedhjeve do t’i ndërgjegjësojë politikanët për të gjetur zgjidhje për problemet akute që i ka Kosova. Problem akut është stabiliteti i institucioneve dhe këtë duhet ta kenë parasysh politikanët e Kosovës”, u shpreh ai.
“Kjo fushatë ka qenë mjaft monotone. Sa i përket çështjeve programore, partitë i kanë prezantuar më herët programet e tyre. Fushata ka qenë më shumë e personalizuar, me sulme, polemika dhe ofendime të ndërsjella”, tha Robelli.
Duke folur për përgjegjësitë e klasës politike, ai vlerësoi se mungesa e kompromisit ka qenë e pranishme te të gjitha palët.
“Paaftësia për të arritur një kompromis ka qenë e theksuar te të gjithë politikanët, jo vetëm te kryeministri aktual i Kosovës. Natyrisht që ai, si shef i partisë më të madhe politike, ka një përgjegjësi më të madhe”, deklaroi gazetari.
(A2 Televizion)