
Pesë vende anëtare të NATO-s pritet të përmbushin objektivin e ri të aleancës për të shpenzuar mbi 3.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për mbrojtjen thelbësore gjatë vitit 2026, sipas të dhënave të përditësuara të publikuara nga NATO.
Shifrat u publikuan përpara samitit të liderëve të NATO-s në Ankara dhe tregojnë një rritje të ndjeshme të investimeve ushtarake nga disa vende aleate, ndërsa presioni për forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes është shtuar, veçanërisht nga Presidenti amerikan Donald Trump.
Në samitin e vitit të kaluar në Hagë, vendet e NATO-s ranë dakord që deri në vitin 2035 të rrisin shpenzimet për mbrojtjen bazë në 3.5% të PBB-së, nga objektivi i mëparshëm prej 2%. Përveç kësaj, aleatët synojnë të investojnë edhe 1.5% të PBB-së në fusha të tjera që lidhen me sigurinë, si mbrojtja kibernetike dhe infrastruktura.
Sipas vlerësimeve të NATO-s, vendi me shpenzimet më të larta për mbrojtjen në raport me ekonominë është Lituania, me 5.33% të PBB-së, e ndjekur nga Estonia me 5.1%, Letonia me 4.92%, Polonia me 4.68% dhe Greqia me 3.65%.
Ndërkohë, Shqipëria, e cila vitin e kaluar nuk kishte arritur objektivin e mëparshëm prej 2% të PBB-së për mbrojtjen, me një nivel prej 1.48%, pritet ta kalojë këtë prag gjatë vitit 2026.
Shtetet e Bashkuara parashikohet të shpenzojnë rreth 3.17% të PBB-së për mbrojtjen, Gjermania 2.69%, Mbretëria e Bashkuar 2.56% dhe Franca 2.22%.
(A2 Televizion)