
23 motomjete të reja, të financuara nga administrimi i pasurive të konfiskuara nga aktiviteti kriminal, do t'i shtohen Forcës së Posaçme "Shqiponja" dhe Policisë Rrugore. Në ceremoninë e prezantimit ministri i Brendshëm Besfort Lamallari theksoi se ky investim është një dëshmi konkrete e mënyrës se si shteti i rikthen shoqërisë pasuritë e përfituara nga krimi
Sipas ministrit Lamallari, goditja e bazës ekonomike të grupeve kriminale mbetet një nga instrumentet më efektive në luftën kundër krimit.
"Sot është një ditë e mirë për Policinë e Shtetit. Këto motoçikleta nuk janë vetëm mjete të reja pune, por përfaqësojnë një vizion të qartë të qeverisë sonë në luftën kundër krimit. Goditja e bazës ekonomike të grupeve kriminale mbetet një nga instrumentet më efektive në këtë betejë", deklaroi ministri.
Gjatë fjalës së tij, Lamallari falënderoi punonjësit e policisë për profesionalizmin dhe vetëpërmbajtjen e treguar gjatë protestave të ditëve të fundit.
"Ju dhe kolegët tuaj keni kaluar një periudhë të ngarkuar dhe sfiduese. Keni përballuar provokime, akuza dhe gjykime të nxituara, në një kohë kur shpesh rrjetet sociale flasin para fakteve. Vazhdoni kështu, pa e humbur durimin dhe pa rënë pre e provokimeve. Uniforma kërkon vetëpërmbajtje. Policia nuk duhet të përgjigjet me emocion, ajo përgjigjet me ligj. Ky është dallimi mes shtetit dhe kaosit", u shpreh ai.
Ministri theksoi se çdo pretendim për shkelje nga ana e punonjësve të policisë duhet të hetohet në mënyrë të paanshme.
"Çdo pretendim duhet hetuar deri në fund dhe çdo shkelje duhet ndëshkuar. Por askush nuk duhet të dënohet publikisht mbi bazën e perceptimeve, montazheve apo zhurmës virtuale. E vërteta lind vetëm nga hetimi i plotë dhe drejtësia e bazuar në prova", deklaroi Lamallari.

Ai garantoi mbështetjen e plotë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të qeverisë për efektivët e Policisë së Shtetit.
"Shumica dërrmuese e shqiptarëve e dinë se mijëra efektivë dalin çdo ditë në shërbim pa ditur se çfarë i pret. Ata mbrojnë jetën, pronën dhe sigurinë e qytetarëve. Dua t'ju garantoj se Ministria e Punëve të Brendshme, unë personalisht dhe qeveria shqiptare do të jenë gjithmonë në krahun tuaj, sepse ju zbatoni ligjin me ndershmëri, integritet dhe durim", përfundoi ministri.
Nga ana e tij drejtori i përgjithshëm i Policisë Skënder Hita tha se investimi synon të rrisë shpejtësinë e reagimit të efektivëve në terren dhe cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve.
"Në një realitet ku ritmi i ngjarjeve dhe fluksi i lartë i qarkullimit rrugor kërkojnë ndërhyrje brenda sekondash, mjetet e shpejta dhe të manovrueshme janë një domosdoshmëri operacionale. Ato na japin mundësinë të fitojmë kohë, të jemi më pranë qytetarit në çdo emergjencë dhe të garantojmë kontroll të plotë mbi territorin", u shpreh ai.
Kreu i Policisë tha se investimi është dëshmi e mbështetjes së Qeverisë dhe Ministrisë së Brendshme për forcimin e kapaciteteve të Policisë së Shtetit.
Hita vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin me Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, duke bërë të ditur se gjatë periudhës 2024-2026 janë siguruar financime me vlerë rreth 4.7 milionë euro për investime në Policinë e Shtetit.
Sipas tij, këto fonde janë përdorur për fuqizimin e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, Forcës së Posaçme Operacionale, instalimin e sistemeve e-Gate në portet e Durrësit dhe Sarandës, blerjen e automjeteve, pajisjeve dhe softuerëve për luftën kundër krimit kibernetik, si dhe për pajisje të specializuara që janë në proces prokurimi.
"Pasuritë e sekuestruara dhe të konfiskuara nga krimi i organizuar po kthehen në instrumente të fuqishme në duart e ligjit, për t'u shërbyer më mirë qytetarëve. Ajo që dikur u është marrë qytetarëve me paligjshmëri, sot u kthehet atyre në formën e sigurisë, rendit dhe mbrojtjes së jetës", deklaroi Hita. (A2 Televizion)