Nisin homazhet 7-ditore për Khamenein, miliona njerëz priten në ceremoni, Irani paralajmëron SHBA dhe Izraelin

Nga Rosalba Bejdo
3 Korrik 2026, 10:58 | Bota

Irani përgatitet për ceremonitë mortore 7 ditore në nder të liderit suprem, Ajatollah Ali Khamenei, i cili u vra gjatë sulmeve amerikano-izraelite në ditët e para të luftës. Autoritetet synojnë t'i shndërrojnë ceremonitë në një demonstrim të mbështetjes popullore për Republikën Islamike, me procesione masive të planifikuara në Teheran, Qom, Mashhad dhe më pas në qytetet e shenjta të Irakut.

Zyrtarët iranianë presin pjesëmarrjen e miliona qytetarëve, ndërsa janë marrë masa të gjera logjistike, duke përfshirë transport, akomodim dhe ushqim për pjesëmarrësit. Zyrtarë iranianë dhe personalitete të huaja, përfshirë përfaqësues nga Rusia dhe Kina, do të marrin pjesë në ceremonitë e së premtes.

Të shtunën, trupi i Ajatollah Ali Khameneit do të dërgohet në një xhami në Teheran, si ndalesa e parë e një procesioni kombëtar. Krahas tij do të transportohen edhe trupat e vajzës, dhëndrit dhe mbesës së Khameneit, si edhe të bashkëshortes së liderit të ri, Mojtaba, të cilët humbën jetën në të njëjtin sulm.

Për të përballuar fluksin e pjesëmarrësve, hotelet kanë ofruar ulje çmimesh prej 50 për qind, ndërsa shkollat, xhamitë dhe palestrat sportive janë përshtatur për të strehuar njerëzit që do të marrin pjesë në ceremoni. Gjithashtu, linjat e autobusëve dhehekurudhave janë riorganizuar për t'i shërbyer ngjarjeve kryesore.

Pas procesionit të madh të planifikuar të hënën në qendër të Teheranit, trupi i Khameneit do të dërgohet në qytetin e shenjtë të Qomit, ndërsa varrimi do të zhvillohet të enjten në Mashhad, pranë mauzoleumit të Imam Rezës.

Autoritetet kanë paralajmëruar masa të rrepta sigurie gjatë gjithë ceremonive. Hapësira ajrore mbi Teheran dhe qytete të tjera do të kufizohet përkohësisht, ndërsa Irani ka paralajmëruar se do të reagojë me forcë nëse Shtetet e Bashkuara ose Izraeli ndërmarrin sulme të reja. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos