Një luan “i arratisur” terrorizon qytezën italiane pranë Romës

Nga A2 CNN
12 Nëntor 2023, 08:38 | Bota

Një luan i arratisur nga cirku i ka futur të dridhurat banorëve të qytezës italiane të Ladispolit, që ndodhet shumë pranë Romës.

Luani u pa duke ecur në rrugët e qytetit bregdetar italian për disa orë pasi u arratis nga cirku me veterinerët dhe forcat e policisë që u mobilizuan për ta kapur, pa dëmtuar kafshën dhe banorët.

Autoritetet mobilizuan edhe një helikopter, që fluturoi mbi zonë dhe pasi identifikoi luanin në një fushë të kultivuar falë kamerave termike, u angazhua më pas për ta ndjekur kafshën në çdo lëvizje.

Sakaq, kryebashkiaku Alessandro Grando pasi mori lajmin për arratisjen e luanit nga cirku, paralajmëroi banorët të qëndronin në shtëpi.

Qytetarët e Ladispolit më pas publikuan në rrjetet socialen video që tregonin macen gjigande duke ecur nëpër rrugët e errëta dhe të shkreta, të shtunën në mbrëmje.

Në një postim në Facebook, më shumë se pesë orë pasi mesazhi i tij origjinal ngriti alarmin në qytet, Grando njoftoi komunitetin se “bisha” e quajtur Kimba, ishte kapur.

"Tani ai është marrë në dorëzim nga stafi i cirkut", shkroi kryebashkiaku në rrjetet sociale.

Shpresoj që ky episod të trazojë disa ndërgjegje dhe që më në fund t’i japim fund shfrytëzimit të kafshëve në cirk”, shtoi ai.

Më tej ai tha se nuk kishte autorizuar praninë e një cirku me luanë në qytet, por theksoi se nuk kishte fuqi për ta parandaluar atë.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani