Ndihma jetësore për Ukrainën në luftë, vijon të mbetet peng e mosmarrëveshjeve në Kongresin Amerikan. Republikanët në Senat, bllokuan paketën e parë të ndihmave, pasi dështuar të siguronin kompromiset e kërkuar në këmbim për kontrollin kufitar.
Paketa prej 110 miliardë dollarësh përfshinte 61 miliardë për Kievin, fonde për Izraelin dhe ndihma për gazën. Ndërsa republikanët janë zakonisht në favor të mbështetjes për Ukrainën, disa po e shfrytëzojnë çështjen si levë, për të adresuar shqetësimet mbi emigracionin e paligjshëm në kufirin jugor.
51 senatorë, përfshirë çdo përfaqësues republikan votuan kundër projektligjit, dhe 49 pro. Votimi e zhyt në ujëra edhe më të pasigurta fatin e luftës në Ukrainë duke detyruar negociata të reja mes ligjvënësve para pushimeve të fundvitit.
Presidenti amerikan Joe Biden i bëri thirrje Kongresit të mos lejojë fitoren e Putinit, i cili siç tha, pas Ukrainës mund të sulmojë një vend të NATO-s.
“Nëse Putin merr Ukrainën ai nuk do të ndalet. E ka bërë të qartë këtë. Ai mund të sulmojë një shtet anëtar të NATO-s kur ne jemi zotuar se do të mbrojmë çdo centimetër territori.”, tha Biden.
Gjatë një lidhje video me krerët e G7 presidenti ukrainas Volodimir Zelenski tha se Moska po shpreson të shkaktojë krisje në unitetin e vendeve perëndimore.
Sakaq, krerët e 7 ekonomive më të avancuara, mes të cilëve Biden dhe Sunak, thanë se mbeten të përkushtuar për të mbështetur Ukrainën. Deklarata vjen mes shqetësimeve se përkrahja e perëndimit për Ukrainën po zbehet, pasi Kievi nuk po përparon në fushëbetejë. (A2 Televizion)