Palestinezët nuk do ikin nga Gaza! Izraeli kërcënon me luftë edhe Libanin

Nga Rosalba Bejdo
8 Janar 2024, 16:20 | Bota

Uashingtoni kundërshton shpërnguljen me forcë të palestinezëve nga rripi i gazës ose nga bregu i pushtuar perëndimor. Ishte Sekretari i Shtetit Anthony Blinken që u dha garanci të tilla udhëheqësve arabë, teksa gjendet në rajon për bisedime mbi të ardhmen e Gazës.

Duke dënuar deklaratat e disa ministrave izraelitë të cilët kërkuan risistemimin e palestinezëve diku tjetër, shefi i diplomacisë amerikane e bëri të qartë se palestinezët nuk duhet të përballen me presion për tu larguar nga Gaza.

Sipas tij, ata duhet të lejohen të rikthehen në shtëpi sapo kushtet ta lejojnë.

Teksa Izraeli avancon drejt një faze ushtarake me intensitet më të ulët në veri, OKB mund të luajë rol thelbësor në vlerësimin e asaj që duhet bërë për të lejuar palestinezët e shpërngulur të kthehen në shtëpi. Civilët duhet të kthehen në shtëpi sapo kushtet ta lejojnë. Ato nuk duhet dhe nuk mund të përballen me trusni për tu larguar nga Gaza.”

Deklarata e Blinken vjen teksa ministri i Mbrojtjes në Izrael, Yoav Gallant, tha në një intervistë për Wall Street Journal se forcat izraelite po kalojnë nga faza intensive e luftës në ato që i quajti lloje të ndryshme operacionesh ushtarake. Megjithatë ai paralajmëroi se faza e tretë e konfliktit do të zgjasë më shumë.

Gallant i bëri një paralajmërim të zymtë edhe Libanit, të cilit i tha se mund të kthehet në një Gaza të dytë, nëse Hezbollahu i mbështetur nga Irani nuk do të ndalet.

Sakaq, bombardimet ajrore në territorin e copëtuar vijojnë pa u ndalur, me 73 viktima të raportuara në 24 orë. Sipas “Save the Children” mbi 10 fëmijë në ditë, kanë humbur një ose të dyja këmbët që prej fillimit të luftës. Situata pritet të vështirësohet edhe më shumë teksa Organizata ndërkombëtare e shpëtimit njoftoi tërheqjen e të gjithë mjekëve nga i vetmi spital funksionar në Gaza. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos