Bisedimet e paqes për luftën në Ukrainë mund të fillojnë këtë dimër, tha kryeministri i Polonisë Donald Tusk, teksa përshkroi një seri takimesh të planifikuara ndërsa Varshava kërkon të luajë një rol udhëheqës në përfundimin e konfliktit, raporton A2 CNN. Polonia ka qenë një nga mbështetësit më të vendosur të Kievit që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.
Kryeministri Donald Tusk tha se Varshava do të përfshihet shumë në çdo bisedim kur të marrë presidencën e radhës të Bashkimit Evropian më 1 janar. “Unë do të kem një seri bisedimesh në lidhje me situatën përtej kufirit tonë lindor", tha Tusk në një mbledhje të qeverisë. “Siç mund ta imagjinoni, delegacioni ynë do të jetë bashkëpërgjegjës, ndër të tjera, se si do të jetë kalendari politik, ndoshta si do të jetë situata gjatë negociatave, të cilat edhe pse ka ende pikëpyetje, mund të fillojnë në dimrin e këtij viti”, tha ai.
Tusk tha se presidenti francez Emmanuel Macron do të vizitojë Varshavën të enjten për të dhënë një përmbledhje të bisedimeve me Presidentin e zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy në Paris fundjavën e kaluar.
Nga ana e tij, Kremlini ka bërë të ditur se lufta në Ukrainë do të vazhdojë derisa qëllimet e vendosura nga presidenti Vladimir Putin të arrihen me veprime ushtarake ose me negociata. Putin ka kërkuar që Ukraina të heqë dorë nga ambicia e saj për t'u bashkuar me NATO-n dhe të tërhiqet plotësisht nga katër rajone të vendit që Rusia i ka pretenduar si të sajat - kushte që Kievi i ka hedhur poshtë si të barasvlershme me dorëzimin.
“Operacioni special ushtarak do të përfundojë kur të jenë arritur të gjitha objektivat e vendosura nga presidenti dhe komandanti i përgjithshëm”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, duke përdorur termin e Moskës për konfliktin. (A2 Televizion)