Paralajmërimi i FBI: Sulmet e Hamasit do të frymëzojnë kërcënimet terroriste

Nga A2 CNN
1 Nëntor 2023, 07:27 | Bota

Paralajmërimi i FBI: Sulmet e Hamasit do të frymëzojnë

Shtetet e Bashkuara kanë filluar t’i frikësohen faktit se sulmi i Hamasit ndaj Izraelit do të frymëzojë kërcënimin më të madh terrorist kundër SHBA-së që nga formimi i Shtetit Islamik, gati një dekadë më parë.

Deklarata u bë nga drejtori i FBI-së, Christopher Wray, në një seancë dëgjimore në Kongres, ku tha se që nga fillimi i konfliktit izraelito-palestinez, organizata të shumta terroriste kanë bërë thirrje për sulme kundër amerikanëve dhe Perëndimit, duke rritur ndjeshëm kërcënimin nga ekstremistët e dhunshëm.

“Veprimet e Hamasit dhe aleatëve të tij do të shërbejnë si një frymëzim, të cilin ne nuk e kemi parë që kur ISIS nisi të ashtuquajturin kalifat, disa vite më parë”, tha Drejtori i FBI-së, Wray.

Qeveria amerikane ka parë një rritje të kërcënimeve kundër hebrenjve, myslimanëve dhe arabo-amerikanëve që nga shpërthimi i luftimeve në Gaza.

Numri i sulmeve ndaj bazave ushtarake amerikane jashtë shtetit nga grupet e mbështetura nga Irani është rritur këtë muaj. Sulmet kibernetike kundër SHBA-së nga Irani dhe aktorët joshtetërorë ka të ngjarë të përkeqësohen nëse konflikti zgjerohet.

Në një takim për sigurinë kibernetike të organizuar nga Shtëpia e Bardhë të martën, kryeprokurori i Shteteve të Bashkuara Merrick Garland tha se ai kishte udhëzuar Departamentin e Drejtësisë që të ndihmonte hetuesit izraelitë për rastet e financimeve për Hamasin, përfshirë edhe kriptovalutat.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani