
Situata në Lindjen e Mesme vijon të mbetet e tensionuar, ndërsa përplasjet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit po thellohen. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se Irani do të përballet me një valë të re sulmesh ushtarake amerikane gjatë natës.
Në një intervistë telefonike për Fox News, Trump u shpreh se operacionet ushtarake do të vazhdojnë dhe se sulmet e planifikuara do të jenë më të fuqishmet deri më tani.
“Po, do të ketë më shumë bombardime sonte. Do të jenë bombat më të mëdha dhe më të fuqishme,” deklaroi ai.
Sipas mediave amerikane, Trump kishte paralajmëruar më herët përmes platformës së tij sociale se SHBA po përgatit një raund të ri aksionesh ushtarake kundër Iranit.
Në të njëjtin reagim, ai kërcënoi edhe me marrjen nën kontroll të Kharg Island, një pikë strategjike që përpunon rreth 90% të eksporteve të naftës bruto të Iranit.
Deklaratat e presidentit amerikan vijnë pas një serie sulmesh ajrore të ndërmarra nga SHBA ndaj objektivave ushtarake iraniane, duke shtuar frikën për një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit në rajon. (A2 Televizion)