Putin pritet me nderime në Vietnam, pas paktit ushtarak me Phenianin, forcon lidhjet me Hanoin

Nga A2 CNN
20 Qershor 2024, 10:02 | Bota

Pas takimit të rrallë në Korenë e Veriut, me liderin autokrat Kim Jong Un, presidenti Vladimir Putin mbërriti në kryeqytetin Vietnamez, Hanoi, ku u prit me nderime të larta ushtarake, përfshirë 21 të shtëna me armë.

I izoluar nga Perëndimi, Putin po përpiqet të forcojë lidhjet ekonomike me shtetet mike dhe të tregojë se sanksionet perëndimore nuk kanë ndikim te vendi i tij. Presidenti i Vietnamit komunist, To Lam, foli për thellim të partneritet strategjik me Moskën dhe u zotua të forcojë bashkëpunimin me të.

Ai e përgëzoi Putinin për rizgjedhjen dhe vlerësoi arritjet e Rusisë, përfshirë stabilitetin e brendshëm politik.

“Edhe një herë përgëzime mikut tonë për sigurimin e mbështetjes dërrmuese gjatë zgjedhjeve presidenciale, diçka që tregoi besimin e popullit rus”, u shpreh To Lam.

Putin u përgjigj duke thënë se partneriteti strategjik me Vietnamin është një prej prioriteteve të Rusisë. Ai tha se respektonte dialogun me bllokun rajonal, Grupi i Vendeve të Azisë Juglindore, në të cilin u shpreh se Vietnami luante një rol aktiv.

Putin i cili mbërriti në Hanoi në orët e para të së enjtes, është në ndalesën e fundit të turit të vizitës së tij në dy vende aziatike, pasi përmbylli një pakt mbrojtjeje me Korenë e Veriut. Ajo angazhon vendet të përdorin çdo mjet të mundshëm për të mbështetur ushtarakisht njëri tjetrin, në rastin se ndonjëri prej tyre sulmohet.

Pritja e Putinit, nga ana e Vietnamit ka nxitur kritika nga partneri kyç, Shtetet e Bashkuara që kanë përmirësuar marrëdhëniet diplomatike me Hanoin vitin e kaluar, dhe është eksportuesi kryesor i vendit. Në një deklaratë, ambasada amerikane tha më herët se Vietnami nuk duhet t’i japë Putinit një platformë për të promovuar luftën ruse në Ukrainë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos