Senati italian i ka dhënë dritën jeshile projektligjit për ratifikimin e protokollit Itali-Shqipëri, për marrëveshjen e strehimit të emigrantëve, me 93 vota pro dhe 61 kundër.
Marrëveshja, e mbrojtur nga ekzekutivi ne vend, ishte në lexim të dytë dhe nuk u modifikua, gjatë kalimit të saj në Palazzo Madama.
Drafti u kundërshtua ashpër nga opozita italiane, sipas së cilës, projekti është rezultat i propagandës së qeverisë Meloni, “një iluzion, i cili rrezikon të cenojë të drejtat e njeriut, të emigrantëve dhe që do t’i kushtojë taksapaguesve italianë.
Nga ana tjetër, në vendin tonë kjo marrëveshje mori dritën jeshile, muajin e shkuar, nga Gjykata Kushtetuese. Vendimi u arrit me shumicë votash, jo në unanimitet.
Marrëveshja e firmosur mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane për strehimin e një numri refugjatësh në Lezhë, u dërgua në Gjykatën Kushtetuese nga 30 deputetë të opozitës, mes të cilëve Sali Berisha e Gazment Bardhi, të cilët pretendojnë se marrëveshja Rama-Meloni shkel Kushtetutën.
Marrëveshja hyn në fuqi në datën e rënë dakord mes palëve dhe mbetet në fuqi për 5 vite me mundësi rinovimi në heshtje, përveç rastit kur njëra prej palëve nuk e dëshiron më një gjë të tillë.
Brenda 90 ditëve nga hyrja në fuqi e marrëveshjes, krediton 16.5 milionë euro si paradhënie të një shume të madhe të rimbursimeve që lidhen me vitin e parë të aplikimit. Më pas, pala shqiptare do t’i komunikojë palës italiane shumën e shpenzimeve të kryera në semestrin e kaluar.
Në mënyrë të veçantë, ligji autorizon shpenzime për vitin 2024 që synojnë krijimin e strukturave dhe pajisjeve instrumentale të nevojshme, që arrijnë në rreth 47.7 milionë euro. Është krijuar një fond me një fond prej 89.1 milionë euro për këtë vit dhe 118.5 milionë euro për secilin nga vitet 2025-2028.
Sipas marrëveshjes porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal pritës është 3 mijë shtretër. (A2 Televizion)