
Presidenti amerikan Donald Trump ka mbajtur një fjalim nga Mali Rushmore me rastin e 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, duke u bërë thirrje amerikanëve të mbrojnë liritë e vendit nga ajo që ai e cilësoi si “kërcënim komunist”.
Trump e lidhi retorikën e tij antikomuniste me politikën e imigracionit, duke deklaruar se disa të sapoardhur në SHBA, sipas tij, përqafojnë ide që bien ndesh me “mënyrën amerikane të jetesës”.
“Ka një ringjallje të kërcënimit komunist në tokën tonë… Ne nuk do ta lejojmë që kjo të ndodhë”, tha ai.
Presidenti amerikan shtoi se komunizmi është “armiku i popujve të lirë” dhe “armiku i Kushtetutës”, duke e cilësuar atë si të kundërtën e lirisë dhe prosperitetit. Ai theksoi gjithashtu se radikalët dhe ekstremistët, sipas tij, kritikojnë historinë e SHBA-ve, por nuk flasin për historinë e komunizmit.
“Komunizmi është e kundërta e jetës, lirisë dhe kërkimit të lumturisë; ai është vdekje, tirani dhe kërkim i së keqes”, u shpreh Trump.
Fjalimi u mbajt në kuadër të festimeve për 250-vjetorin e Pavarësisë, në një periudhë të ngarkuar politike në SHBA, ndërsa Trump ka theksuar synimin për fitore të republikanëve në zgjedhjet e ardhshme të mesit të mandatit.
Ndërkohë, sipas mediave, organizata të lidhura me ish-presidentin kanë qenë të përfshira në organizimin e festimeve, gjë që ka shkaktuar reagime dhe bojkote nga disa grupe.
Në një sondazh të Universitetit Quinnipiac, të publikuar së fundmi, 61% e amerikanëve janë shprehur se SHBA-ja aktualisht nuk po i përmbush idealet e Deklaratës së Pavarësisë së vitit 1776. (A2 Televizion)