SHBA intensifikon përpjekjet diplomatike në Lindjen e Mesme, Blinken në Turqi për bisedime mbi konfliktin në Gaza

Nga A2 CNN
6 Nëntor 2023, 07:00 | Bota

SHBA intensifikon përpjekjet diplomatike në Lindjen e Mesme, Blinken

Administrata e presidentit Joe Biden po rrit përpjekjet e saj diplomatike në Lindjen e Mesme për të siguruar pauza humanitare në luftën midis Izraelit dhe Hamasit.

Sekretari i Shtetit i SHBA-së Antony Blinken mbërriti në Ankara të dielën ku do të zhvillojë bisedime mbi konfliktin e Gazës me homologun e tij turk Hakan Fidan të hënën.

Blinken pritet të takojë dhe presidentin turk, Rexhep Taip Erdogan, i cili ka qenë jashtëzakonisht kritik ndaj ofensivës së Izraelit në Gaza, duke i quajtur veprimet “krime kundër njerëzimit” dhe duke thënë se po pezullonte komunikimet me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu. Turqia gjithashtu ka tërhequr ambasadorin e saj në Izrael për "konsultime".

Disa orë para mbërritjes së Blinken, policia në Turqinë jugore përdori gaz lotsjellës dhe topa uji, ndërsa qindra njerëz në një tubim pro-palestinez u përpoqën të sulmonin një bazë ajrore që strehon trupat amerikane.

Blinken ka udhëtuar deri më tani në Izrael, Jordani, Bregun Perëndimor, Qipro dhe Irak. Uashingtoni dëshiron të parandalojë një konflikt më të gjerë rajonal dhe ka rritur përpjekjet diplomatike me vendet e rajonit, popullsia e të cilave është zemëruar nga sulmi i Izraelit në Gaza.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos