Shtetet e Bashkuara kanë propozuar një projekt-rezolutë paralel me atë të Algjerisë, në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila thekson "mbështetjen për një armëpushim të përkohshëm në Gaza sa më shpejt të jetë e mundur", citojnë burime ekskluzive për Reuters.
Projekt-rezoluta, "përcakton se në rrethanat aktuale një ofensivë e madhe tokësore nga Izraeli në Rafah do të rezultonte në dëme të mëtejshme për civilët dhe zhvendosjen e tyre të mëtejshme duke përfshirë potencialisht vendet fqinje".
Nuk ishte e qartë se nëse projekt-rezoluta do tëhidhej në votim në organin më të rëndësishëm të Kombeve të Bashkuara, në Këshillin e Sigurimit. Shtetet e Bashkuara e parashtruan tekstin pasi Algjeria kërkoi votën e Këshillit të Sigurimit prej 15 anëtarësh për projekt-rezolutën e saj, që kërkon një armëpushim të menjëhershëm humanitar në luftën Izrael-Hamas.
Por Shtetet e Bashkuara kanë kërcënuar se do të vendosin veton ndaj iniciativës algjeriane, pasi sipas tyre drafti vë në rrezik negociatat e ndjeshme për pengjet.
Përfaqësuesit që mbrojnë kauzën palestineze, u kërkuan gjyqtarëve në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë që të shpallin pushtimin e territorit të tyre nga Izraeli si të paligjshëm, duke thënë se mendimi i tyre këshillues mund të kontribuojë në një zgjidhje me dy shtete.
Izraeli nuk po merr pjesë në seancat dëgjimore, por dërgoi një deklaratë me shkrim prej 5 faqesh të botuar nga gjykata në të cilën tha se një opinion këshillues do të ishte "i dëmshëm" për përpjekjet për të zgjidhur konfliktin, sepse pyetjet e parashtruara nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së u paragjykuan. (A2 Televizion)