SHBA mbyll TikTok, Trump fajëson Kinën për vjedhje të të dhënave

Nga Erjon Dervishi
17 Janar 2025, 18:29 | Bota

Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës vendosi që të miratojë ligjin federal e cila e ndalon TikTok-un duke filluar nga e diela, përveçse nëse ajo shitet nga kompania e saj amë me bazë në Kinë.

Gjykata argumentoi se rreziku për sigurinë kombëtare i shkaktuar nga lidhjet me Kinën tejkalon shqetësimet për kufizimin e lirisë së shprehjes nga aplikacioni ose 170 milionë përdoruesit e tij në Shtetet e Bashkuara, raporton AP.

Shitja nuk duket se është afër dhe, megjithëse ekspertët kanë thënë se aplikacioni nuk do të zhduket nga telefonat e përdoruesve ekzistues pasi ligji të hyjë në fuqi më 19 janar, përdoruesit e rinj nuk do të jenë në gjendje ta shkarkojnë atë e as të përditësojnë. Kjo, eventualisht, do ta bëjë aplikacionin të papërdorshëm, ka thënë Departamenti i Drejtësisë në dokumentet gjyqësore.

Presidenti i zgjedhur, Donald Trump, premtoi se mund të negociojë për një zgjidhje, kurse administrata e presidentit Joe Biden ka sinjalizuar se nuk do ta zbatojë ligjin duke filluar nga e diela, dita e tij e fundit e plotë në detyrë.

Trump, i vetëdijshëm për popullaritetin e TikTok-ut dhe për 14.7 milionë ndjekësit e tij në këtë aplikacion, gjendet në anën e kundërt të argumentit nga republikanët e njohur të Senatit, të cilët fajësojnë pronarin kinez të TikTok-ut për mosgjetjen e një blerësi deri tani.

Mosmarrëveshja mbi lidhjet e TikTok-ut me Kinën ka marrë formën e konkurrencës gjeopolitike ndërmjet Uashingtonit dhe Pekinit. Ndërkaq, TikTok-u thekson se SHBA-ja nuk ka paraqitur prova që Kina ka tentuar të manipulojë përmbajtjen në platformën e saj në SHBA ose të mbledhë të dhëna të përdoruesve amerikanë përmes TikTok-ut. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos