Tajfuni Maysak godet Kinën jugore, përmbytje masive dhe mijëra të evakuuar

Nga A2 CNN
6 Korrik 2026, 19:35 | Bota

Tajfuni Maysak godet Kinën jugore, përmbytje masive dhe mijëra

Tajfuni Maysak ka goditur Kinën jugore, duke shkaktuar reshje të dendura shiu dhe përmbytje të mëdha në rajonin e Guangxi-t. Autoritetet raportojnë të paktën dy viktima dhe dhjetëra mijëra banorë të evakuuar nga zonat e rrezikuara.

Sipas zyrtarëve lokalë, rreth 48 mijë persona janë larguar nga shtëpitë e tyre, ndërsa situata më e rënduar është regjistruar në kryeqytetin Nanning, ku janë raportuar edhe dëmtime serioze në infrastrukturë. Nënkryetari i bashkisë së qytetit konfirmoi bilancin paraprak të viktimave dhe masat emergjente të ndërmarra.

Reshjet intensive kanë shkaktuar shembje digash në disa rezervuarë, përfshirë Liulan dhe Yunbiao, ndërsa Rezervuari Liugang ka dalë nga shtrati, duke rritur rrezikun e përmbytjeve në zonat përreth. Në qytetin Fangchenggang, mbi 800 banorë janë evakuuar për shkak të rritjes së nivelit të ujit.

Sipas mediave shtetërore kineze CCTV, niveli i ujërave ka kaluar kufijtë e alarmit në 66 stacione monitorimi përgjatë 55 lumenjve në rajonin Guangxi. Në zonën e Luwei-t janë regjistruar 637 milimetra reshje brenda 24 orëve, një nga nivelet më të larta të raportuara.

Edhe pse Maysak është dobësuar dhe është klasifikuar si stuhi tropikale, autoritetet paralajmërojnë se reshjet e dendura pritet të vazhdojnë në Kinën jugore edhe në ditët në vijim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos