Ish-oficeri i policisë së Minneapolis, Derek Chauvin, i dënuar për vrasjen e afroamerikanit George Floyd, është plagosur me thikë në një burg të Arizonës, ku ai po vuan dënimin për krimin e rëndë që ngriti në këmbë gjithë Amerikën.
Mediat amerikane, raportojnë se 47-vjeçari u qëllua disa herë me thikë nga një i dënuar tjetër, por nuk ka detaje të hollësishme për ngjarje.
Byroja e Burgjeve konfirmoi përmes një deklarate se një i burgosur në një burg federal në qytetin Tucson u godit me thikë mesditën e së premtes.
Agjencia shtoi se punonjësit e burgut arritën të frenojnë incidentin dhe morën masa për të ndihmuar të plagosurin dhe izoluar autorin, emri i të cilit nuk bëhet me dije.
Prokurori i Përgjithshëm i Minesotës, Keith Ellison deklaroi Chauvin ishte goditur me thikë dhe shtoi se ai është në një gjendje të qëndrueshme shëndetësore.
(A2 Televizion)