
Ukraina dhe Moldavia kanë nisur zyrtarisht fazën e parë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, në një takim të zhvilluar në Luksemburg mes përfaqësuesve të BE-së dhe dy vendeve kandidate.
Ky hap shënon fillimin e procesit thelbësor të integrimit europian, i cili pason miratimin e hapjes së “klasterit të parë” të negociatave, që përfshin fusha si sundimi i ligjit, demokracia dhe funksionimi i institucioneve.
Procesi u mundësua pas zhbllokimit të mëparshëm politik brenda BE-së, ku disa vende kishin penguar nisjen e kapitujve të parë negociues. Sipas zyrtarëve evropianë, vendimi për hapjen e negociatave u arrit me konsensus mes shteteve anëtare.
Përfaqësues të institucioneve të Bashkimit Evropian e kanë vlerësuar këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm në procesin e zgjerimit, ndërsa kanë theksuar se si Ukraina ashtu edhe Moldavia duhet të vijojnë reformat, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e sistemit të drejtësisë.
Nga ana e tij, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy e ka cilësuar hapjen e negociatave si një mbështetje të rëndësishme politike për vendin, në kushtet e vazhdimit të luftës.
Ukraina dhe Moldavia morën statusin e vendeve kandidate në vitin 2022 dhe nisja e negociatave konsiderohet një moment i rëndësishëm në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE. (A2 Televizion)