
Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) thotë se po vëren përmirësime në nivelet e ndihmës që hyjnë në Gaza, por paralajmëron se qindra kamionë të nevojshëm çdo ditë nuk po arrijnë aktualisht te palestinezët.
Sipas mediave të huaja, duke folur për CNN, drejtori në detyrë i UNRWA-s, Sam Rose, thotë se situata në Gaza është përmirësuar "në krahasim" me marsin, kur nuk po hynte asnjë ndihmë në Rrip.
"Por qindra kamionë me ndihma që nevojiten çdo ditë nuk po mbërrijnë ende", tha mes të tjerash Rose, shkruan A2 CNN.
Përfaqësuesi i UNRWA-s shton se ai ka mijëra persona staf që aktualisht punojnë për të rihapur pikat shëndetësore në Qytetin e Gazës, si dhe strehimoret në Khan Younis, ndërsa palestinezët kthehen në shtëpitë e tyre.
Siç raportuam më parë, Izraeli thotë se po bëhen përgatitje për të rihapur pikën kufitare Rafah në jug të Gazës për njerëzit dhe thotë se ndërkohë ndihmat vazhdojnë të hyjnë në Gaza përmes pikës kufitare Kerem Shalom, si dhe pikave të tjera. (A2 Televizion)