
Të paktën 55 persona kanë humbur jetën në Francë si pasojë e valës ekstreme të të nxehtit që ka përfshirë vendin, sipas deklaratës së ministres së Sportit, Marina Ferrari për transmetuesin Franceinfo. Autoritetet franceze paralajmërojnë se numri i viktimave mund të rritet në ditët në vijim, ndërsa vendi vazhdon të përballet me temperatura rekord.
Aktualisht, 61 departamente në Francë janë vendosur në alarm të kuq për nxehtësi ekstreme, ndërsa 25 të tjera janë në alarm portokalli, sipas “Météo-France”. Temperaturat në disa zona të vendit pritet të luhaten mes 36 dhe 41 gradë Celsius, shkruan A2CNN.
Qeveria franceze ka nisur një seri masash emergjente për të përballuar situatën. Ministrja e Shëndetësisë, Stéphanie Rist, paralajmëroi se spitalet mund të përballen me një fundjavë të vështirë, pasi është rritur ndjeshëm numri i vizitave në urgjenca dhe thirrjeve për ndihmë mjekësore.
Në Paris dhe zonat përreth, spitalet raportohet se janë tashmë të mbingarkuara, sipas prefektit të policisë Patrice Faure.
Në përgjigje të situatës, kryeministri Sébastien Lecornu ka aktivizuar planin e emergjencës shëndetësore ORSAN në nivelin e tretë, që përfaqëson shkallën më të lartë të mobilizimit të sistemit shëndetësor.
Ndërkohë, autoritetet në Paris kanë vendosur ndalimin e konsumit të alkoolit në hapësirat publike nga mesdita e së premtes, si pjesë e masave për të reduktuar rreziqet shëndetësore gjatë valës së të nxehtit. (A2 Televizion)