
Policia e Tiranës ka sekuestruar sot 833 gramë lëndë narkotike kokainë dhe 576 gramë lëndë narkotike sativa, dhe një shumë eurosh e përfituar nga shitja e tyre dhe automjet. “Blutë” arrestuan një 35-vjeçar në Bërzhitë, me sasi të këtyre lëndëve, me vete, me qëllim shitjen.
“Në vijim të operacioneve të zhvilluara nga Policia e Tiranës, me fokus identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve që individualisht ose në grupe, janë përfshirë në sigurimin dhe shitjen e lëndëve narkotike, në zona të ndryshme të kryeqytetit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve finalizuan operacionin e koduar “Implikimi”. Gjatë operacionit u ndalua në afërsi të një njësie pushimi, në fshatin Bërzhitë, dhe u vu në pranga shtetasi E. T., 35 vjeç, banues në Tiranë.

Gjatë kontrollit fizik dhe në banesë, atij iu gjetën: -833 gramë lëndë e dyshuar narkotike Kokainë, 576 gramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa dhe 930 euro të dyshuara të përfituara nga shitja e lëndëve narkotike. Lëndët dhe paratë u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin e të arrestuarit. Nga hetimet dyshohet se ai i kishte siguruar lëndët narkotike, me qëllim shitjen në sasi të konsiderueshme, kryesisht në zonën ku u kap dhe në Qytet Studenti”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)