Rama i publikoi pamjet në protestë, Ikballe Huduti shpallet “person i padëshiruar” në Shqipëri

Nga Igli Çelmeta
25 Qershor 2026, 19:10 | Kronikë

Ikballe Huduti është shpallur person “non grata” në Shqipëri dhe është urdhëruar largimi i saj nga territori i vendit, me ndalim hyrjeje për 15 vjet, për arsye që lidhen me sigurinë kombëtare dhe rendin publik. Vendimi i Ministrisë së Brendshme i është përcjellë Policisë së Shtetit dhe strukturave të Kufirit dhe Migracionit për zbatim.

Ikballe Huduti është shpallur person i padëshiruar në Shqipëri. Urdhri i ka shkuar Policisë së Shtetit për zbatim, që kjo shtetase të largohet dhe të mos lejohet të hyjë në territorin e vendit për një periudhë 15-vjeçare, me motivacionin e kërcënimit për vendin, sigurinë kombëtare dhe rendin publik.

Urdhri i Ministrit të Brendshëm, Lamallari, i është dërguar për zbatim Policisë së Shtetit dhe strukturave të Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit, shkruan A2CNN. 

Huduti ka marrë pjesë në protestat në Tiranë dhe është një prej personazheve që Kryeministri Edi Rama ka postuar në rrjetet sociale, duke denoncuar atë që e cilëson si keqpërdorim të protestuesve, ndërsa persona si Huduti i paraqet si përfitues nga protesta.

Kryeministri gjithashtu ndau dy foto të saj, duke shkruar se ajo kërkon hakmarrje ndaj Amerikës për vëllanë e vrarë, të cilin e cilësoi si “kasapin e regjimit të Teheranit”. Ai theksoi se në foton tjetër ajo shihet në krah të ish-presidentit të Iranit, Mahmoud Ahmadinexhad, të cilin e ka quajtur “kryeshërbëtor i ajatollahëve”.

Huduti ka reaguar me një postim në rrjetet sociale, ku ndër të tjera thotë se dalja e saj në protestë nuk ka motive përfitimi, por motive patriotike dhe qytetare.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos